POLITIKË /

I pranishëm dhe Braimllari, Rama takon në bashki këshilltarët e majtë, zbulohen porositë

Takimi, i cili zgjati rreth 10 minuta, kishte në fokus mobilizimin e strukturave për zgjedhjet e 11 majit dhe rritjen e angazhimit në terren.

Shkruar nga Versus

I pranishëm dhe Braimllari, Rama takon në bashki

Pas një takimi me punonjësit e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje të shkurtër me këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste. Takimi, i cili zgjati rreth 10 minuta, kishte në fokus mobilizimin e strukturave për zgjedhjet e 11 majit dhe rritjen e angazhimit në terren.

Burime brenda PS bëjnë me dije se Rama i ka porositur këshilltarët që të jenë sa më aktivë në zonat e tyre dhe të shmangin çdo lloj neglizhence në punën e bashkisë. Ai ka theksuar rëndësinë e një pranie më të madhe në komunitet, ndërsa për kundërshtarët politikë mësohet të ketë thënë se “ata janë të lodhur”, duke lënë të kuptohet se opozita nuk përbën një rrezik real për mazhorancën.

Një nga këshilltarët bashkiakë ka ngritur çështjen e ndikimit të SPAK, duke i kërkuar kryeministrit që të gjejë mënyra për të ndërhyrë në situatën e krijuar, pasi, sipas tij, hetimet po shqetësojnë mbështetësit e PS. Megjithatë, Rama nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë kërkesë, duke e anashkaluar diskutimin.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Endrit Braimllari, ish-anëtar i Partisë së Lirisë, i cili kohët e fundit ka kaluar në radhët e këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës. Ky zhvillim shihet si një sinjal i afrimit të figurave të reja në mazhorancë, në një kohë kur PS synon të forcojë pozitat e saj përpara sfidës zgjedhore të 11 majit. /Versus.al/

Poll