POLITIKË /

Ideja për krijimin e shtetit bektashi, Rama u përgjigjet kritikëve: Ligësi të pritshme, ma përforcuat bindjen për ta realizuar

Kreu i qeverisë tha se krijimi i një shteti sovran bektashi do të garantonte ekzistimin e bektashizmit edhe për breza të tërë duke ulur rreyikun e tkurrjes.

Shkruar nga Versus

Ideja për krijimin e shtetit bektashi, Rama u përgjigjet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “X” për kritikat e shumta që kanë shpërthyer ndaj tij sa i takon idesë së bërë publike për krijimin e një shteti sovran brenda Tiranës të quajtur “Urdhri Bektashi”.

Teksa e nis me etiketimin si “padije e skëtarrshme” apo “ligësi të pritshme” duke iu referuar reagimeve në media këto ditë, Rama shkruan se është më i bindur se kurrë për domosdoshmërinë e realizimit të kësaj ideje.

“Jam mësuar të lexoj e dëgjoj çudira pas çdo ideje të re apo projekti ndryshimi që kam shprehur apo “paraqitur në tërë këto vite, po këtë herë çuditë e thëna a të shkruara fill pas shprehjes së idesë të krijimit të një entiteti sovran të Urdhërit Bektashi,  brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, kanë kaluar kufijtë e të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme.

E vetmja gjë që nuk kam dëgjuar të thuhet nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është qoftë edhe një fjali me kuptim, mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë, se mirë për sfidat e mbijetesës së Urdhërit Bektashi sot e gjithë ditën duket që as nuk do t’ia dijë askush nga ata që çfarë s’po nxjerrin prej goje!

Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë dhe se nevoja e këtij hapi është jo vetëm në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar, po edhe në shërbim të domosdoshmërisë së investimit tonë të vazhdueshëm për ruajtjen e për pasurimin e thesarit të paçmueshëm të tolerancës e të harmonisë fetare, ku bektashizmi ka meritën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm krahas tre besimeve të tjera.

Gjithësesi, nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.

Në ndërkohë ftesa ime për kundërshtarët e kaqshumëngutur të idesë është që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhërit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, duke shpresuar se mbase kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë.

Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale - pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre - komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme  të ekzistencës së tij për breza të tërë.

Të adresosh sot këtë çështje do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë. Po për t’i folur urtësisht e qetësisht këto e kemi të gjithë kohën e nevojshme përpara”- thuhet në reagimin e gjatë të tij në rrjetet sociale ku ka bashkëngjitur edhe foto të Naim Frashërit dhe teqesë në Malin e Tomorrit. 

Prej ditësh ideja e bërë publike nga Rama ka ngjallur reagime të shumta si në radhët e politikës ashtu edhe në media por edhe mes komuniteteve fetare. Ditën e djeshme pati një protestë të shoqatave islame përpara Komunitetit Musliman të Shqipërisë duke bërë thirrje që të mos lejohet një gjë e tillë dhe se në këtë mënyrë nuk po përfaqësohet vullneti i tyre.

Për këtë lajm kanë reaguar edhe bektashinjtë e Turqisë të cilët u shprehën se krijimi i një shteti të tillë në kushtet kur në vend mbizotëron harmonia fetare, nuk është e drejtë.

Ndërsa Rama këtë ide e përmendi edhe gjatë fjalës së tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e cilësuar si të nevojshëm krijimin e këtij entiteti sovran brenda Tiranës në mënyrë që të shërbejë për nxitjen e tolerancës fetare. Shteti i ri sovran, nëse do të krijohet brenda Tiranës do të jetë zyrtarisht shteti më i vogël në botë me në sipërfaqe prej 27 hektarësh. Vetë Baba Mondi i cili nuk kishte dijeni për planin e Ramës ka dhënë detaje për mediat duke bërë me dije se “Urdhri i Bektashit” do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me Vatikanin sa i takon administrimit të territorit të vetë, ndarjen e pasaportave për administratën dhe klerikët. Ai bëri me dije se do të ketë të gjitha funksionet e një shteti modern, duke lejuar brenda territorit edhe konsumin e alkoolit apo që femrat të vishen sipas dëshirës. Versus.al

Poll