Bujar Leskaj, deputeti “rebel” i Partisë Demokratike i cili javë më parë injoroi thirrjen e Berishës për të mos marrë pjesë në protestën e mbajtur në Tiranë për liderët e UÇK, ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale një reflektim mbi situatën ku ndodhet partia.
Nëpërmjet një postimi të gjatë, Leskaj shprehet se kanë humbur parimet me të cilat PD u rithemelua duke nënvizuar se duhet të ketë një analizë për të parë sesi mund të fitojë sërish besimin e qytetarëve. Sipas tij duhet ristrukturim që tek baza deri tek kryetari i partisë.
Mes të tjerash ai bën me dije se pas dy vitesh do të dorëhiqet nga mandati në mënyrë që të inkurajojë deputetët e rinj dhe për të nxitur një frymë të re brenda partisë. Ai bëri thirrje që të gjithë deputetët e listave të mbyllura të bëjnë të njëjtën gjë duke lënë gjysmën e mandatit për deputetët e listave të hapura.
“Një hap i nevojshëm në këtë drejtim është që deputetët e listave të mbyllura të lënë gjysmën e mandatit për deputetët e listave të hapura/apo deputetët pasardhës. Kjo është një mënyrë për të hapur Partinë Demokratike, ashtu siç ishin principet e Rithemelimit. Personalisht, pas dy vitesh, do të lë mandatin tim të deputetit tek kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar deputetët e rinj, nxitur rinovimin dhe për të sjellë një frymë të re të të bërit politik. Ky është një proces që duhet të ndiqet nga të gjithë deputetët aktual; të cilët më vonë si ish-deputetët duhet të vazhdojnë të kontribuojnë maksimalisjt si të ishin deputet, me veprimtari. Kjo formulë në optikën time e bën më të shëndetshme Partinë Demokratike, duke e bërë më të fortë, më te hapur dhe më të sigurt për të ardhmen”- shkruan Leskaj.
Ndër të tjera, ligjvënësi shkruan se të gjithë drejtuesit politikë nëpër qarqe duhet të japin dorëheqje dhe zbuloi se një gjë të tillë e kishte bërë edhe ai duke ia paraqitur Berishës dorëheqjen.
“Për të ndërtuar një PD më të fortë, është e domosdoshme që partia të fillojë një proces të thellë riorganizimi, i cili duhet të përfshijë çdo nivel të saj. Kjo do të thotë që të krijohen struktura që mund të adresojnë në mënyrë më efektive nevojat e qytetarëve dhe të angazhojnë forca të reja. Një pikë tjetër ka të bëjë dhe me rolin e institucionit të Drejtuesit Politik. Ky ndryshim nuk duhet parë si një akt formal, por si një proces i thellë rinovimi, që sjell progres për partinë dhe shoqërinë.
Analiza e zgjedhjeve, mbas denoncinit të farsës zgjedhore dhe raportit të OSBE/ODIHR, duhet të fillojë nga drejtuesit politikë që humbën në zgjedhjet e 11 majit në qarqet e tyre, pavarësisht farsës dhe manipulimit të zgjedhjeve. Këta drejtues duhet ose të japin dorëheqje (personalisht, menjëherë pas zgjedhjeve, në maj 2025, i paraqita Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishës dorëheqjen time, si drejtues politik i qarkut Vlorë) dhe/ose të zëvendësohen me të rinj, nga kandidatët e PD-së në listat e hapura që fituan ose morën mbështetje të gjerë nga elektorati”- shton deputeti.
Ndërsa kundërshtoi idenë e hedhur nga Berisha për Kuvend me dy dhoma pasi kjo do të shtonte kompleksitetin e sistemit në Shqipëri.
“Gjithashtu, jam kundër idesë së parlamentit me dy dhoma. Kam shumë argumenta për këtë, të cilat do t’i trajtoj në një shkrim tjetër, pasi besoj se një parlament me dy dhoma do të krijonte më shumë pengesa dhe do të shtonte kompleksitetin e sistemit politik shqiptar, duke e bërë atë më të vështirë për qytetarët, për t’u përfaqësuar ashtu siç duhet”- thotë Leskaj mes të tjerash në shkrimin e gjatë të publikuar në rrjetet sociale. Versus.al

