Deputeti Enkelejd Alibeaj i cili javë më parë zyrtarizoi krijimin e partisë së re politike “Djathtas 1912”, ka kritikuar kryeparlamentaren Elisa Spiropali për mos-funksionimin e Kuvendit. Ai tha se parlamenti është i boshatisur nga ana e opozitës për shkak se gjysma e deputetëve janë përjashtuar, ndërsa e cilësoi si përgjegjësi të qeverisë funksionimin e seancave plenare.
“Ju e shihni fare mirë që ky parlament nuk po kryen funksionin parësor të tij. E shihni se gjysma nuk është. Përgjegjësia për funksionimin e këtij parlamenti, i takon mazhorancës. Ju duhet të jepni shembull për kthimin në normalitet. Autorët kryesorë jeni ju e keni në dorë ta bëni që tani rikthimin në normalitet. Kjo është kërkesa që kam unë për juve”- u shpreh Alibeaj.
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh e gatshme që të ketë bisedime me opozitën për të bërë të mundur rikthimin e deputetëve të përjashtuar në Kuvend, por nuk shmangu ironitë teksa u shpreh se situata është krijuar për shkak të problemeve të brendshme të PD dhe jo të parlamentit.
“Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo kohë në karriget që na kanë zgjedhur qytetarët jo ti djegim. Për zjarrin që vënë të tjerët, ju më mirë se kushdo e dini kush është autori dhe arsyet, por duke mos u hyrë problemeve të brendshme tuajat për të cilat edhe ju jeni bashkëvuajtës si ne të gjithë po ju them se jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, përfshirë edhe konferencën e qytetarëve për të bërë të mundur që deputetët e opozitës të rikthehen në mënyrë dinjitoze. Nuk mund të vijojmë vazhdimisht të përsërisim situata të tilla artificiale që nuk burojnë nga problemet e parlamentarizmit por nga problemet që kanë partitë shqiptare”- u përgjigj Spiropali. Versus.al







