
Gjatë seancës në komisionin e Ligjeve pati debate mes deputetit demokrat Asllan Dogjani dhe kryetares Klotilda Bushka. Dogjani tha se nuk duhet që komisioni të mblidhet për të miratuar projektligje sa për “dekor” siç i cilësoi ai, duke përmendur edhe zgjedhjet e 11 majit.
Ai tha se në këto zgjedhje më shumë se populli, foli krimi.
“Në një vend ku nuk sigurohen dot zgjedhje të ndershme, nuk mendoj se ka vend të mblidhemi si komision Ligjesh për të bërë ligje fallso sa për dekor për ta nxjerrë sikur jemi në një vend demokratik. Ndërkohë që në Shqipëri, është instaluar diktatura. Populli foli, por më shumë foli krimi. Frika ishte mjeti më i efektshëm në këto zgjedhje. Jo vetëm që gjatë fushatës zgjedhore u përdorën paratë e krimit, por edhe gjatë numërimit të votave, nuk kishit çuar numërues por artistë për manipulim votash”- u shpreh deputeti.
Por përveç këtyre deklaratave që duken më shumë si retorikë politike, deputeti ngriti edhe shqetësimin se në të ardhmen vendi ynë mund të bëhet arenë betejash mes kombeve të tjera ose mes vetë shqiptarëve.
“Shqipëria me Edi Ramën që është kapur peng nga ndërkombëtarët, ka për t’u kthyer shpejt në arenë ndoshta mes kombeve apo edhe mes shqiptarëve. U bëj thirrje të reflektojmë të gjithë si socialistët si demokratët të bëjmë gjithçka të shkohet në qeveri të shpejtë teknike e të bëhen zgjedhje të ndershme. Nuk mund të fitohet kur ke përballë krimin”- tha Dogjani.
Nga ana tjetër, Bushka iu përgjigj duke thënë se nuk ishte vendi për të bërë analizën e humbjes së PD.
“Çdo parti bën analizën e vetë dhe kur të analizohet, analizohet edhe humbja edhe fitorja, ndërkohë që populli ka folur”- tha kryetarja e komisionit. Versus.al







