
Ditën e sotme u mbajt në komisionin e ligjeve mbledhja për ratifikimin e disa projektligjeve duke e bërë kështu seancën e parë të diskutimeve që prej zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë mbledhjes ra në sy mungesa e deputetëve demokratë të cilët edhe pas zgjedhjeve të 11 majit do të jenë pjesë e Kuvendit. Në vend të tyre, në komision ishin paraqitur dy deputetë aktualë të PD, Dashnor Sula dhe Asllan Dogjani si dhe Enkelejd Alibeaj i cili garoi me koalicionin “Djathtas për Zhvillim”.
Të tre deputetët, nuk do jenë më pjesë e Kuvendit që pas shtatorit.
Ndërsa nga ana e socialistëve, vihet në dukje fakti se në komisionin e kryesuar nga Klotilda Bushka e cila s’do të jetë më pjesë e Kuvendit, janë të pranishëm të gjithë socialistët pavarësisht se nuk arritën të zgjidheshin në këtë legjislaturë.
Mes tyre, i vetmi që ka fituar mandatin e ardhshëm është Fatmir Xhafa. Kjo nuk i pengoi socialistët që të miratonin disa projektligje kryesisht në lidhje me marrëdhëniet e jashtme.
Akti normativ dhe projektligjet e miratuara:
1.Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO) Hagë, më 23 qershor 1993, të ndryshuar në Kopenhagë, më 9 prill 2002”
2. Akt normativ nr. 3, datë 29.4.2025 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025””
3. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, për financimin e “Mbështetjes për buxhetin e përgjithshëm mbi përpjekjet për zhvillim”’
4. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit “Doganat”, për bashkëpunim në fushën e doganave”
5. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”
6. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar”. Versus.al







