
Kreu i Grupit të PD-së, Gazmend Bardhi ka folur ditën e sotme për rrugën që do të ndjekë Partia Demokratike drejt fitores, ndonëse na ndajnë 8 muaj nga zgjedhjet.
Bardhi ka dhënë një intervistë për News24, ku zbuloi dy strategjitë që do të ndjekë PD-ja.
Nga njëra anë veçon aksionin politik për të imponuar garantimin e zgjedhjeve të ndershme e të lira dhe nga ana tjetër organizimin e partisë për zgjedhjet e ardhshme.
Bardhi shtoi gjithashtu se asgjë nuk mund të marrë zgjidhje nëse nuk garantohen zgjedhje të lira.
"Së pari, sjellja në parlament diktohet nga sjellja e mazhorancës në raport me çështje të interesit publik apo me të drejtat e opozitës. Padyshim që në parlament secili nga ne është mandatuar nga qytetarët për t’u shërbyer interesit të tyre dhe për të çuar përpara prioritetet tonë, siç është reforma në drejtësi.
Nuk mund të ketë asgjë zgjidhje, nëse nuk garantojmë zgjedhje të lira. Nuk mund t’i lejojmë vetes që zgjedhjet e 2025 të diktohen nga paratë e korrupsionit, krimit të organizuar.
Kryesia e PD ka vendosur që duhet të ketë dy drejtime strategjia, e para aksioni politik për të imponuar garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe nga ana tjetër dhe organizimin e partisë për zgjedhjet e ardhshme. Këto dy shtylla duhet të ecin paralel”, tha Bardhi./ Versus.al







