
Në komisionin e posaçëm hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit "TIMS" u zhvillua sot seanca e radhës për marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ku mori pjesë edhe drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni e cila kërkoi që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar.
Ajo tha se nuk i ishte shmangur raportimit para organeve të Kuvendit.
“Në asnjë rast nuk i jam shmangur raportimit para Kuvendit. Lidhur me objektin e raprtimit të sotëm kërkoj që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura me pjesëmarrjen e deputetëve me certifikimin e duhur. Qëllimi është të mbrohen informacionet e klasifikuara”- tha Hyseni.
Ndërsa deputeti i PS, Xhemal Qefalia i kërkoi Salianjit që t’i kërkonte falje Hysenit për deklaratën e bërë herën e kaluar ku thoshte se Hyseni ndodhej në një vizitë në Beograd.
Pjesë nga debati:
Qefalia: Kërkojini ndjesë drejtueses së SHISH për atë që thatë në mbledhjen e kaluar ku u shprehët se Hyseni ishte në Beograd.
Salianji: Unë kam pasur një shkresë që ka qenë në një aktivitet të jashtëm. Nuk dua të kthej në debat këtë veprimtari sepse këtë pyetje për Beogradin e kemi në komision sigurie, jo këtu. Nuk të shkon ty që të bëesh mbrojtës avokat i SHISH.
Qefalia: Jam anëtar i komisionit të sigurisë prej vitesh dhe e di cilët elementë e cënojnë sigurinë kombëtare.
Salianji: Nuk është çështje se kush është kryeplaku i komisionit. Sot i kemi thirrur si dëshmitarë dhe jo për të raportuar mbi veprimtarinë.
Kreu i komisionit, Ervin Salianji kërkoi që mbledhja të vazhdonte me dyer të hapura për të bërë transparencë me publikun por pas hedhjes në votim, u miratua kërkesa e bërë nga Vlora Hyseni. Versus.al







