POLITIKË /

"Kryedispeçere e Ramës", drejtoresha e SHISH përplaset me deputetët e opozitës te "Siguria"

Në raportimin me dyer të hapura të Hysenit, deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri e akuzoi atë si "shërbëtore" të kryeministrit Edi Rama.

Shkruar nga Versus
"Kryedispeçere e Ramës", drejtoresha e SHISH
Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni dhe mbledhja e komisionit të Sigurisë

Drejtoresha e Shërbimit Shtetëror Informativ, Vlora Hyseni ishte sot e pranishme në komisionin e sigurisë ku raportoi lidhur me veprimtarinë gjatë vitit 2023 të institucionit që ajo drejton.

Në raportimin e informacionit për publikun, ajo tha se SHISH gjatë vitit të kaluar kishte rritur bashkëpunimin me SPAK dhe BKH, ndërsa theksoi se ishin angazhuar kundër veprimeve kibernetike të shërbimeve sekrete ruse dhe serbe.

“Kemi rritur bashlëpunimin dhe mbështetjen për SPAK, BKH, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucione të tjera. Janë realizuar kundërvënie konkrete ndaj veprimtarive të paligjshme si brenda edhe jashtë vendit. Jemi fokusuar në operacione kundër terrorit dhe kundërvënie ndaj shërbimeve sekrete ruse, serbe dhe të tjera. Kjo është ajo që mund ta them për publikun ndërsa pjesën tjetër e raportimit është më i klasifikuar për deputetët anëtarë të këtij komisioni”- tha Hyseni duke nënvizuar se pjesa tjetër e raportimit duhet bërë me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar.

Pasi Hyseni përfundoi fjalën e saj, deputeti i opozitës, Ferdinand Xhaferri iu kthye ashpër duke e cilësuar si “kryedispeçere” të kryeministrit Rama.

“Pata mundësi t’i hedh një sy raportit, vlerësoj morinë e problemeve që has SHISH. Por për mua si zv.kryetar i komisionit, ju jeni drejtoreshë e SHISh por kryeministri i vendit me atë që ka thënë më 5 shtator iu ka caktuar si kryedispeçere e SHISH”- tha deputeti.

Kryetari i komisionit Nasip Naço duke i ndërprerë fjalën Xhaferrit kërkoi që vijimi i mbledhjes së komisionit të bëhet me dyer të mbyllura.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Hyseni përplaset me deputetët e opozitës, pasi më herët për mosparaqitjen e saj si dëshmitare në komisionin e posaçëm për hetimin e rrjedhjes të të dhënave të sistemit TIMS, kryetari Ervin Salianji tha se drejtoresha e SHISH, ndodhej në Beograd, një gjë kjo që u mohua nga Hyseni gjatë mbledhjes së radhës ku ishte e pranishme për të dëshmuar. Versus.al

Poll