
Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut, duke e lënë këtë të fundit në detyrë.
Në shkrimin e publikuar në rrjetet sociale, Rama e nis duke thënë se nga vendimi i Kushtetueses u provua se ai nuk i ka kapur të gjitha pushtetet. Sipas tij, duke qenë se Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë mbajtja e tij në qeli është në dëm të të drejtave të popullit të Tiranës për të marrë shërbimin nga i zgjedhuri prej tyre. Kreu i qeverisë shkruan më tej se pret që GJK ta rikthejë Veliajn në detyrë kur të vijë momenti i gjykimit të paraburgimit të tij.
Reagimi i Ramës:
Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese: 1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo 2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo 3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë. Versus.al
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
