Live Updates /

Veliaj rikthehet si kryebashkiak i Tiranës, Kushtetuesja: Këshilli shkeli ligjin, nuk e njoftoi! Berisha: GJK palosi Ramën dhe Begajn

*Me 5 vota pro dhe 3 kundër, Gjykata Kushtetuese vendosi sot në favor të Erion Veliajt për të mbetur në krye të bashkisë së Tiranës pavarësisht vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretit të presidentit Begaj për zgjedhjet e parakohshme. *Me këtë vendim zgjedhjet në Tiranë mbeten pezull dhe do të duhet të pritet për hapat e radhës që mund të ndërmerren nga palët. *Në arsyetimin e dhënë nga Kushtetuesja, thuhet se Këshilli bashkiak nuk ka respektuar ligjin duke mos e njoftuar Veliajn për shkarkimin e tij dhe duke mos i dhënë mundësi që të ishte i pranishëm në sallë me anë të një kërkese në drejtorinë e burgjeve. *Pas vendimit të Kushtetueses, kanë ardhur edhe reagimet. Së pari Berisha tha se vendimi i GJK, rrëzonte Ramën dhe Begajn. Ndërsa kandidati i pavarur Florjan Binaj tha se pavarësisht vendimit, ai dotë rikandidojë për Tiranën kurdo që të hapet gara.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Me 5 vota pro dhe 3 kundër, Gjykata Kushtetuese vendosi sot në favor të Erion Veliajt për të mbetur në krye të bashkisë së Tiranës pavarësisht vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretit të presidentit Begaj për zgjedhjet e parakohshme. *Me këtë vendim zgjedhjet në Tiranë mbeten pezull dhe do të duhet të pritet për hapat e radhës që mund të ndërmerren nga palët. *Në arsyetimin e dhënë nga Kushtetuesja, thuhet se Këshilli bashkiak nuk ka respektuar ligjin duke mos e njoftuar Veliajn për shkarkimin e tij dhe duke mos i dhënë mundësi që të ishte i pranishëm në sallë me anë të një kërkese në drejtorinë e burgjeve. *Pas vendimit të Kushtetueses, kanë ardhur edhe reagimet. Së pari Berisha tha se vendimi i GJK, rrëzonte Ramën dhe Begajn. Ndërsa kandidati i pavarur Florjan Binaj tha se pavarësisht vendimit, ai dotë rikandidojë për Tiranën kurdo që të hapet gara.

5 Postime
6 ORE ME PARE

Kryetarja ishte kundër, 5 vota në favor të Veliajt, zbardhen qëndrimet e gjyqtarëve të Kushtetueses

Veliaj rikthehet si kryebashkiak i Tiranës, Kushtetuesja: Këshilli

Pas zbardhjes së vendimit të Kushtetueses kundër shkarkimit të Erion Veliajt, janë bërë publik edhe qëndrimet që kanë mbajtur anëtarët e gjykatës lidhur me çështjen.

Vihet re se vetë kryetarja e GJK, Holta Zaçaj ka qenë kundër pretendimeve të Veliajt së bashku me relatoren Sonila Bejtja. 

Votimi në gjykatë:

Pro

Sander Beci
Ilir Toska
Fiona Papajorgji
Marsida Xhaferllari
Mariana Semini

Kunder

Holta Zaçaj
Sonila Bejtja
Gent Ibrahimi. Versus.al

6 ORE ME PARE

''Nuk u njoftua nga këshilli bashkiak'', zbardhet vendimi i Kushtetueses që lë në detyrë Erion Veliajn

Veliaj rikthehet si kryebashkiak i Tiranës, Kushtetuesja: Këshilli

Në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vendimin në favor të Erion Veliajt thuhet se këshilli bashkiak kishte shkelur ligjin duke mos e njoftuar Veliajn për shkarkimin dhe duke mos i krijuar mundësitë që të ishte i pranishëm në sallë. 

Me vendimin e marrë, gjykata pranoi ankimin e Veliajt, shfuqizoi vendimin e qeverisë për shkarkim si dhe rrëzoi dekretin e Bajram Begajt për zgjedhje të parakohshme në bashkinë e Tiranës.

Vendimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese në datën 03.11.2025 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë; shfuqizimin e dekretit nr. 350/2025, të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti.

Gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për kontrollin e VKM-së nr. 539/2025, pasi neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore. Kjo kompetencë i është dhënë Gjykatës me qëllim mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues. Gjykata theksoi, gjithashtu, se në jurisprudencën e saj të deritanishme ka përjashtuar nga juridiksioni kushtetues vetëm rastin e mbarimit të mandatit të kryetarit të bashkisë sipas neneve 6/1 dhe 179/1 të Kushtetutës (procesi i dekriminalizimit), ndërsa në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, sikurse në rastin konkret, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të organeve të zgjedhura drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore. Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Gjykata është organi që ka kompetencën për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm nga kjo Gjykatë, e cila thotë fjalën e fundit.

Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel në kuadër të procesit të rregullt të lidhur me masën e shkarkimit, me përjashtim të pretendimit për prezumimin e pafajësisë për të cilin ajo vendosi rrëzimin. Në këtë pikë, Gjykata vlerësoi të theksojë se shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij.

Në kushtet kur pranoi në juridiksionin kushtetues VKM-në nr. 539/2025, Gjykata, bazuar në jurisprudencën e saj, në lidhje me të drejtën për proces të rregullt i shqyrton rastet e shkarkimit të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore si gjykim në themel të çështjes, duke vepruar si gjykatë fakti dhe ligji, duke analizuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit dhe të aktit. Në thelb, Gjykata shqyrton nëse shkaku i shkarkimit përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve dhe nëse Këshilli i Ministrave ka respektuar procedurat për ta motivuar dhe arsyetuar plotësisht vendimin e shkarkimit.

Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Kjo normë kushtetuese nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve. Në lidhje me këtë, tre gjyqtarë mbajtën qëndrimin se të gjitha parashikimet e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 janë miratuar nga ligjvënësi në kuptim të delegimit kushtetues të nenit 115 të Kushtetutës.

Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.

Gjykata theksoi se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike që realizojnë procesin dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendoset barra nga këto organe te individi. Në këtë kuptim, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër.

Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.

Për këto arsye, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkuesit i është cenuar e drejta për proces të rregullt e lidhur me masën e shkarkimit, prandaj vendosi shfuqizimin e VKM-së nr. 539/2025.

Në lidhje me dekretin e Presidentit të Republikës, Gjykata theksoi se për sa kohë kontrolli i shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore sipas nenit 115, pika 2, të Kushtetutës i përket juridiksionit kushtetues, edhe kontrolli i akteve të pushtetit publik të nxjerra si rrjedhojë dhe për shkak të vendimit të shkarkimit dhe krijimit të vakancës, siç është dekreti i Presidentit të Republikës, i përkasin po ashtu juridiksionit kushtetues. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nuk ka nevojë të ndiqen rregullat për shterimin e mjeteve në gjykatën administrative, sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f” të Kushtetutës.

Duke qenë se shfuqizoi VKM-në nr. 539/2025, me qëllim riparimin e pasojave që vijnë nga dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, në konsideratë të nenit 115, pika 3, të Kushtetutës, Gjykata vendosi të shfuqizojë edhe këtë dekret pasi është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës të krijuar nga VKM-ja për shkarkimin nga detyra të kërkuesit.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

Pranimin e kërkesës.
Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
Vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese. Versus.al

6 ORE ME PARE

GJK konfirmoi Veliajn si kryebashkiak të Tiranës, Florjan Binaj: Gati të kandidoj kurdo që të mbahen zgjedhjet

Veliaj rikthehet si kryebashkiak i Tiranës, Kushtetuesja: Këshilli

Gjykata Kushtetuese konfirmoi sot se Erion Veliaj do të vijojë të mbajë postin e kryebashkiakut të Tiranës duke rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Pas kësaj vendimmarrje nga ana e Kushtetueses, ka ardhur edhe reagimi i kandidatit të pavarur për Tiranën, Florjan Binaj i cili sqaron se do të kandidojë për kryebashkiak kurdo që të mbahen zgjedhjet. 

Ai shkruan se nuk bëhet fjalë për garë pushteti, por për ta bërë Tiranën shtëpinë që duan t'ua lënë fëmijëve. 

''Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë.

Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë''- shprehet Binaj. 

Kujtojmë se aktori i njohur i humorit shpalli kandidaturën e pavarur dhe u mbështet nga të gjitha forcat opozitare përveç Lëvizjes Bashkë e cila nxorri si kandidat Arlind Qorin. Versus.al

7 ORE ME PARE

Kushtetuesja la në detyrë Veliajn, Berisha: Ky vendim palos Ramën dhe Begajn! I bënë dhuratë pa dashje

Veliaj rikthehet si kryebashkiak i Tiranës, Kushtetuesja: Këshilli

Pas mbledhjes së kryesisë së PD, kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t'i dhënë të drejtë Erion Veliajt duke e konfirmuar si kryebashkiak të Tiranës.

Berisha tha se Kushtetuesja ka vepruar në bazë të ligjit ndërsa tha se me këtë lëvizje kryeministri Edi Rama i bëri pa dashje një dhuratë Erion Veliajt. Sipas tij, me këtë vendim, si Rama ashtu edhe presidenti Bajram Begaj janë të dëmtuar.

“Këtë e komentoj si një vendim të gjyqtarëve që në këtë rast zbatuan ligjin, por e komentoj gjithashtu si një dhuratë që Edi Rama, që nuk njeh asnjë lloj ligji e morali, ia bëri padashje kundërshtarit të tij kryesor brenda në parti, Erion Velisë. E trajtoi në atë mënyrë, siç e tha ai vetë, si “serial killer” bën burg. E trajtoi deri aty sa duhej t’i dilja unë zot për të drejtat e njeriut. E trajtoi në atë mënyrë që shkel Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën dhe çdo lloj standardi të një qëndrimi ndaj të burgosurve. Dhe me këtë ai i dha Erion Velisë avantazhin de facto. Bajram Begaj dhe Rama janë të palosur të dy me këtë vendim”,- tha Berisha. Versus.al

 

7 ORE ME PARE

Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë dhe presidentin, Erion Veliaj mbetet kryebashkiak i Tiranës

Veliaj rikthehet si kryebashkiak i Tiranës, Kushtetuesja: Këshilli
Momenti kur Veliaj futet në ''Kushtetuese''

Erion Veliaj, edhe pse në burg prej 9 muajsh, do të vijojë të jetë kryebashkiak i Tiranës. Ky është vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese disa ditë pas seancës maratonë ku Veliaj parashtroi argumentet dhe pretendimet e tij lidhur me vendimin e qeverisë më 25 shtator për ta shkarkuar nga posti i kryetarit. 

Mësohet se gjyqtarët kanë vendosur 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Në vazhdim pritet që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj të dalë në një konferencë për shtyp për të folur mbi argumentet që i shtynë të ndërmerrnin këtë vendim. Versus.al

Poll