Partia Demokratike dhe politika shqiptare mori dje një lajm të trishtë për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani në moshën 44 vjeçare. Ish-ligjvënësi u transportua në QSUT mesditën e djeshme pa shenja jete. Para ngjarjes së rëndë, Bogani ndodhej në hotel “Rogner” ku po konsumonte një kafe me miqtë e tij.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta solli ndërprerjen e komisioneve parlamentare teksa kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe ish-kolegë të tij shprehën ngushëllimet për këtë ndarje të papritur nga jeta.
Homazhet për të ndjerin, mbahen ditën e sotme në sallën e seancës plenare të Kuvendit nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe më pas varrimi i ish-deputetit do të bëhet në varrezat e Sharrës. Seanca plenare e planifikuar për t'u mbajtur ditën e sotme, u shty për të premten.
Për ndarjen nga jeta të Bogdanit pati reagime të shumta si në opinionin publik ashtu edhe në politikë, ku pas ish-kryeministrit Sali Berisha i cili e mori lajmin e rëndë teksa mbante konferencë për mediat, edhe kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet për familjarët e Bogdanit. Partia Demokratike e ka shpallur të enjten ditë zie. Versus.al







