
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka mbajtur një deklaratë për mediat jashtë seancës që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohen paditë e bëra kundër ligjit për profesionet e lira që i takson këta të fundit me taksë progressive 15% të fitimit të tyre.
Për Tabakun, një nismë e tillë, do të sjellë paqëndrueshmëri ekonomike në vend si dhe efekte shkatërruese tek bizneset ku rreth 11 mijë prej tyre kanë deklaruar falimentin sipas deputetes.
“Grupi parlamentar është nisur me parimin e mbrojtjes së punës dhe shtresës së mesme. Ligji i tatimeve është ndryshuar në Shqipëri 23 herë në 10 vitet e fundit. Duke krijuar kështu paqëndureshmëri dhe duke dhënë favore fiskale për grupe që nuk përbëjnë shumicën. Pothuajse 30 mijë profesionistë të lirë, janë duke paguar një trajtim të padrejtë. Ky ligj cënon qëndrueshmërinë ekonomike. Efektet ndaj bizneseve janë shkatërruese duke rezultuar në 11 mijë biznese të mbyllura deri tani. Ky ligj është fytyra e asaj që qeveria ka treguar në këto vite, favorizimi i pakicës dhe abuzimi ndaj shumicës. Argumentet e qeverisë për këtë ligj janë qesharake”- tha Tabaku.
Ligjvënësja pati edhe një thirrje ndaj profesionistëve të lirë të cilëve u tha se grupi parlamentar i PD ishte e vetmja mbështetje ndaj tyre.
Nëse ligji mbetet në fuqi, duke nisur nga 1 janari profesionistët e lirë do të tatohen 15% mbi të ardhurat e tyre. Shpenzimet për ata që nuk kanë mbajtur regjistër gjatë vitit të kaluar, do të llogariten duke hequr një referencë 30% mbi fitimin e gjeneruar. Në seancën me dyer të hapura në gjykatën Kushtetuese, shqyrtohen së bashku 4 paditë e bëra ndaj këtij ligji nga grupi parlamentar i PD, Kontabilistët, Avokatët dhe Ekspertët e Miratuar. Versus.al







