POLITIKË /

Mbyllet votimi në 5 bashkitë, pjesëmarrja "katastrofë". Të rinjtë "bojkot", të moshuarit vendosin

Në një dalje për mediat, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se grupmosha më aktive në këto zgjedhje ka qenë ajo mbi 65 vjeç, ndërsa është vënë re një mungesë e dukshme e pjesëmarrjes së të rinjve.

Shkruar nga Versus

Mbyllet votimi në 5 bashkitë, pjesëmarrja

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale
Pjesëmarrje e ulët në disa bashki, të rinjtë mungojnë në qendrat e votimit

Është mbyllur procesi i votimit në pesë bashkitë e vendit, ku qytetarët u thirrën sot në zgjedhje të pjesshme për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Në total, 334.539 qytetarë kishin të drejtën e votës në këto bashki, ndërsa qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit. Në disa zona u raportuan vonesa të vogla në nisjen e procesit, por ai vijoi pa probleme të mëdha.

Sipas Kodit Zgjedhor, kur zgjedhjet zhvillohen gjatë periudhës 15 tetor – 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00, siç ndodhi edhe në këtë rast.

Të dhënat sipas bashkive
Vlorë: 171.895 qytetarë me të drejtë vote në 232 qendra votimi.
Berat: 82.161 zgjedhës në 116 qendra votimi.
Cërrik: 38.724 zgjedhës në 57 qendra votimi.
Mat: 29.092 qytetarë me të drejtë vote në 47 qendra votimi.
Tepelenë: 12.667 zgjedhës në 22 qendra votimi.
Sipas të dhënave paraprake, qarku i Vlorës regjistroi pjesëmarrjen më të ulët, me rreth 12%, ndërsa Mati kryeson me një pjesëmarrje rreth 39%. Këto shifra mbeten ende paraprake dhe mund të ndryshojnë pas përditësimit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kush votoi më shumë?
Në një dalje për mediat, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se grupmosha më aktive në këto zgjedhje ka qenë ajo mbi 65 vjeç, ndërsa është vënë re një mungesë e dukshme e pjesëmarrjes së të rinjve.

Një garë e qetë dhe pa zhurmë politike
Në këto zgjedhje, ku u zëvendësuan pesë kryebashkiakë që janë bërë deputetë ose ministra – mes tyre edhe Andis Salla i Cërrikut – morën pjesë 13 kandidatë në total.

Fushata elektorale u zhvillua pa shumë zhurmë dhe pa protagonizëm politik. Nuk pati mitingje madhështore dhe as pjesëmarrje të liderëve kryesorë të partive.

Në këto zgjedhje, Partia Demokratike nuk regjistroi kandidatë zyrtarë nën siglën e saj apo të ndonjë partie tjetër opozitare, megjithëse ka shprehur mbështetje për disa kandidatë të pavarur.

Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nga KQZ pas numërimit të votave në të gjitha qendrat.

Përditësimi i shifrave nga KQZ (klikoni këtu)

 

Poll