POLITIKË /

“Na i gjejnë shtëpitë me të pyetur”, Rama prezanton Koçiun në ministrinë e Brendshme: Fokusi s’do jetë te policia

Sistemi i adresave dhe zjarrfikësit do të jenë në qendër të veprimtarisë së ministrisë së Brendshme përgjatë 4 viteve të ardhshme.

Shkruar nga Versus

“Na i gjejnë shtëpitë me të pyetur”, Rama

Kreu i qeverisë Edi Rama ishte sot në godinën e ministrisë së Brendshme ku prezantoi si ministre të re Albana Koçiun duke nënvizuar qasjen ndryshe që duhet të ketë ky dikaster përgjatë 4 viteve të ardhshme.

Ai tha se ndryshe nga vitet e kaluara, kur policia ishte në qendër të veprimtarisë së kësaj ministrie, këtë mandat duhet që fokusi të jetë tek ndërtimi i një sistemi adresash ku gjetja e adresave të mos jetë më një mission aq i vështirë. Po ashtu edhe zjarrfikësit duhet të jenë në qendër të kësaj ministrie tha Rama.

“Si rezultat i fokusimit të kësaj ministrie për dekada ekskluzivisht tek policia, sot e gjithë ditën 35 vjet transformime demografike dhe transformim fizik i vendbanimeve të Shqipërisë, që nga Tirana që janë sot shumë më të mëdha se ç’ishin 30 vite më parë, nuk e kemi ende një sistem funksional adresash.

Akoma sot na e gjejnë shtëpinë me të pyetur apo me shenja në rrugë. Lum ata që kanë pallat me shigjeta. Ose për shembull sot kemi një sistem të prapambetur zjarrfikësish me gjithë ndryshimet e pamohueshme që kanë ndodhur, por në këtë mandat të 4 nuk më interesojnë dhe shpresoj të mos na interesojnë ndryshimet që kanë ndodhur, por duhet të na interesojnë ndryshimet që duhet të ndodhin. Zjarrfikësit janë lënë gjithmonë në planin e dytë. Problem më i madh sot i shfaqur qartësisht në verën që po kalon dhe që mesa duket do të jetë një problem qëndror për vite në vijim, janë zjarret. Kanë dalë në planin e parë forcërisht si një punë e brendshme për t’u adresuar me një qasje të përshtatshme, me forca çdo vit e më të reja.

Duke patur parasysh se çfarë ka kaluar Shqipëria, është e natyrshme që policia të ishte për shumë vite si çeta e ministrit të Brendshëm. Një vend që kishte mbi 100 e kusur vrasjesh në vit, apo vend ku ringritja e policisë pas asaj katrahure ku ne nisëm punën në 2013-ën, e bënin policinë e shtetit prioritetet e prioriteteve. E vinin detyrimisht ministrin e Brendshëm në kushtet e kryepolicit civil në kokën e policisë. Tani janë pjekur kushtet që të bëjmë kapërcim të rëndësishëm sepse parametrat e rendit publik janë konsoliduar brenda normave të paktën të gjysmës së poshtme të tabelës së klasifikimit të vendeve të BE. Janë të tjera punë të brendshme që kërkojnë vëmendje të shtuar dhe aftësi të reja duke filluar nga kjo godina këtu. Prandaj ministria e Brendshme duhet të ngrihet në këtë lartësi të re, nga ku ta shikojë 360 gradë fushën e punëve të brendshme dhe të orientojë drejtimin e punëve të brendshme si në çdo vend të BE”- deklaroi kryeministri. Versus.al

Poll