
Mbledhja e komisionit të Ligjeve u drejtua sot nga deputeti socialist Eduart Ndreca dhe jo nga kryetarja Klotilda Bushka. Nuk u dha një sqarim konkret për arsyen, pavarësisht se një ditë më parë Bushka u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje si person që ka tentuar të pengojë hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Deputeti demokrat Dashnor Sula, tha se komisioni duhet të ketë një qëndrim të përbashkët kundër këtyre zbulimeve tronditëse, ku kryetarja e komisionit më të rëndësishëm parlamentar, është e përfshirë në hetime të tilla.
“Është e paimagjinueshme që kryetarja e komisionit të Ligjeve të jetë personi që ka kryer veprime në kundërshtim të hapur me ligjin dhe kujtdo mund t’i ndodhë me një aksident në rrugë për shembull. Por me një vetëdije të paparë duke penguar drejtësinë në hetimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, është e paimagjinueshme dhe e pafalshme. Do kërkoja nga ju që të kemi një deklaratë dhe të distancohemi nga kjo sjellje e kryetares së komisionit sepse ka dëmtuar rëndë imazhin tonë. Presupozohet që ne të kemi besueshmërinë më të lartë në parlamentin e Shqipërisë”- u shpreh Sula.
Sipas tij, qeveria Rama ka bërë që çdo hallkë e sistemit shtetëror të jetë e kriminalizuar.
Ditën e djeshme Bushka u pyet në SPAK për rreth 4 orë lidhur me hetimet që po kryen ndaj saj nën dyshimet se ka penguar procesin hetimor ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj duke ndikuar tek një prej dëshmitareve. Versus.al







