POLITIKË /

Njoftoi se e hoqën si kandidat, Berisha për Dashën Sulën: Nuk kam komunikuar, nuk di gjë

Shkruar nga Versus

Njoftoi se e hoqën si kandidat, Berisha për Dashën Sulën:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për herë të parë për situatën e deputetit Dashnor Sula, i cili mëngjesin e kësaj të mërkure njoftoi publikisht se është përjashtuar nga listat e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Sula e bëri këtë deklaratë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime.

Berisha, duke u shprehur jashtë ambienteve të selisë blu ku po miratohej lista përfundimtare e kandidatëve, vuri në dukje se Dashnor Sula është një njeri i nderuar dhe se askush nuk mund ta mohojë kontributin e tij në Partinë Demokratike. Ai theksoi se Sula ka qenë një figurë e rëndësishme për këtë forcë politike dhe se vlerësimi për punën e tij mbetet i lartë.

Megjithatë, Berisha nuk dha detaje specifike për arsyet e përjashtimit të Sulës, por zbuloi se emri i tij është vendosur në listat e hapura. Ai premtoi që më shumë informacione do të jepeshin pas miratimit zyrtar të listës së kandidatëve.

''Nuk më shkon mua të nxjerr listën që s’është miratuar. Nuk kam komunikuar me zotin Sula. Që të mbaj një qëndrim por kjo listë këto mundësi kishte. Jo në listën e hapur nuk është përjashtuar ai, por ai ka meritat e veta, natyrisht nuk mbase, se di, po e marr vesh nga ju. Nuk kam komunikuar me zotin Sula.

Ky imi ka mijëra mesazhe edhe mund të ketë dërguar. Ai është një njeri i respektuar. Shiko, mos shkoni në ekstreme, Primaret janë një kriter themelor. Pa diskutim, me merita nuk ia mohon askush meritat. Prisni një minutë. Këto janë teknika të dëshpëruara, ju doni të mbuloni emrat e atyre që dolën”, tha Berisha ndër të tjera.

I pyetur nga gazetarët nëse do të japë dorëheqjen po humbi zgjedhjet, Berisha u shpreh: “Po mendoj për qeverinë pas 12 majit. Unë po them që po përgatis qeverinë e ardhshme, ti thua dorëheqje./Versus.al

Poll