Fredi Beleri ka humbur mandatin e tij si kryebashkiak i Himarës pavarësisht se nuk e ushtroi për asnjë ditë detyrën e tij për shkak se u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve të 14 majit nën akuzën e blerjes së votave.
Gjatë seancës së zhvilluar në KQZ, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se ndodhen para një rasti të pavlefshmërisë së mandatit në krye të bashkisë Himarë.
“KQZ është plotësisht kompetente për ta zhvilluar këtë proces administrativ. Kjo çështje nuk është shqyrtuar me nxitim nga ana jonë por me afate të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Brenda këtyre afateve kemi shqyrtuar edhe raste të tjera të ngjashme edhe pse ky rast dallon në thelbin e vetë.
Me bindje të plotë, tej komenteve unë mendoj që jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të bashkisë Himarë, zotit Beleri. Shpallim të pavlefshëm mandatin e tij. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 30 ditëve dhe hyn në fuqi menjëherë”- u shpreh Celibashi.
Ndërsa më herët, gjatë fjalëssë tij Beleri tha se duhej që më së pari të ishte betuar në krye të bashkisë Himarë dhe më pas të ishte shkarkuar nga kryeministri Edi Rama. Pas heqjes së mandatit të Belerit pritet shpallja e datës për zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Himarës. Versus.al







