Opozita çon në Kushtetuese dekretin për ministrin "virtual" dhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit
Opozita ka vendosur të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentit Bajram Begaj për emërimin e ministres "virtuale" Diella, si dhe vendimin e Parlamentit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, i cili u miratua vetëm nga shumica.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Sali Berisha akuzoi Presidentin për një veprim të paprecedentë, duke e cilësuar dekretimin e Diellës si një akt që cenon Kushtetutën dhe institucionin e Presidentit.
“Presidenti i Republikës dekreton një ministre virtuale, inekzistente, duke fyer Kushtetutën, vendin dhe figurën e kreut të shtetit. E bëri si një skllav i Edi Ramës, i implikuar deri në palcë në abuzimet me pronat e ushtrisë. Ky është një akt i pashembullt. Edi Rama, për të mbuluar farsën elektorale dhe kabinetin e votës së rrëmbyer, nxorri Diellën. Por ajo po i kthehet në bumerang”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se opozita do ta çojë urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese, duke akuzuar Presidentin dhe Kryeministrin se janë të gatshëm të firmosin gjithçka, në kundërshtim me Kushtetutën.
Reagimi i Presidencës
Përballë kritikave publike, Presidenca reagoi disa ditë më parë duke sqaruar se Presidenti Begaj ka dekretuar Kryeministrin Edi Rama, duke përfshirë në dekret edhe një nen që e ngarkon atë me përgjegjësi për ngritjen e të ashtuquajturës "Ministri Virtuale".
Rregullorja e Kuvendit, tjetër çështje në Kushtetuese
Berisha njoftoi gjithashtu se do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimin e Parlamentit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, që ka të bëjë me riorganizimin e komisioneve parlamentare.
Sipas tij, procedura është shkelur rëndë, pasi projektligji u miratua me procedurë të përshpejtuar brenda një dite, ndërkohë që Kushtetuta parashikon minimalisht 7 ditë kohë për shqyrtim.
“Kushtetuta dhe rregullorja parashikojnë si rrugë të vetme për ndryshimin e rregullores afatin minimal njëjavor. Këta e bënë me afat njëditor. Kjo është shkelje flagrante e parimeve kushtetuese dhe e procedurave parlamentare”, deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita do të kërkojë edhe pezullimin e këtij vendimi në Kushtetuese.
Komisionet e reja dhe qëndrimi për BE
Në të njëjtën mbledhje, grupi parlamentar demokrat miratoi emrat e përzgjedhur për drejtimin e 4 komisioneve parlamentare që i përkasin opozitës në strukturën e re të miratuar nga Kuvendi.
Ndërkohë, duke u ndalur te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Berisha tha se vendi nuk i ka përmbushur ende standardet, por opozita mbështet fuqimisht këtë proces si një objektiv kombëtar.







