
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslym Murrizi i cili kandidoi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por nuk mundi të fitonte mandat në listën e hapur, ka shprehur sot hatërmbetjet që ka me ish-kolegët e tij demokratë.
I ftuar në Report Tv, Murrizi bëri thirrje për ndryshim të Reformës Zgjedhore duke argumentuar se nëpërmjet kodit aktual zgjedhor shkojnë në Kuvend ligjvënës që nuk kanë marrë vota nga qytetarët, por në kurriz të punës së kandidatëve të listës së hapur.
“Aty janë një tufë brumbujsh, që u futën në listat e mbyllura si qelbësira, dhe tani flasin në emër të qytetarëve! Të kujt qytetarëve? Këta nuk kanë asnjë votë në kurriz. Më thuaj sa vota ka marrë Berisha? 0, se 7250 vota janë të miat. Shumicën e votave, PD i mori nga emra, 18 mijë ka Tabaku, 17 mijë Alihmehmeti, 7330 Asllan Dogjani, 7200 Myslimi. Pra sa vota ka Strazimiri, Ina Zhupa, Gaz Bardhi, Gent Strazimiri apo Boçi? Që unë të shkoj pas tyre, duhet që këta sot të flasin për reformën zgjedhore që t’i japin fund këtij çifti bastard Bylykbashi-Gjiknuri''- deklaroi Murrizi.
Opozita ka vetëm fjalën dhe të marrë nisma që të mbrojë qytetarët dhe kauzat e tyre. Ato nisma që duhet ti dëgjoj nga opozita, i dëgjoj nga goja e Ramës, sepse për sa kohë që unë nuk kam dëgjuar asnjë fjalë nga Berisha për 101 deputetët kam dilemat e mia”, deklaroi Murrizi duke shprehur haptas zhgënjimin nga lidershipi i PD. Versus.al







