Drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike kanë zhvilluar sot një takim me shqiptarët e Greqisë në Athinë, të cilëve u kanë bërë thirrje të regjistrohen në procesin zgjedhor dhe të shprehin vullnetin e tyre më 11 maj.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se familjarët e emigrantëve shqiptarë janë kërcënuar se do t’i heqin nga puna nëse të afërmit e tyre që jetojnë jashtë nuk i japin votën PS.
“Ju siguroj për një gjë, secili prej tyre që guxon të kërcënojë familjarët tuaj në Shqipëri se do ti heqin nga puna në këmbim të detyrimit të votës të secilit prej jush do të përballët me drejtësinë dhe do shkojnë në burg. Një dyzinë ministrash dhe deputetësh kanë pushtuar Athinën, Greqinë dhe qytetet kryesore ku janë shqiptarët, duke u bërë presion përmes të afërmeve të tyre që jetojnë mes vështirësive në Shqipëri”, tha Gazment Bardhi.
Fjalim mbajtën edhe Flamur Noka e Edi Paloka të cilët thanë se përballë tyre është një regjim. Ndërsa i pranishëm në takim ishte edhe ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri i cili u dënua me 2 vite burg për blerje votash në zgjedhje lokale të 14 majit. Tashmë si eurodeputet i Greqisë, Beleri u bëri thirrje të pranishmëve në takim që të votonin për Partinë Demokratike. Versus.al








