POLITIKË /

Pësoi arrest kardiak, ndërron jetë ish-deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani

Shkruar nga Versus

Pësoi arrest kardiak, ndërron jetë ish-deputeti i Partisë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka ndërruar jetë në moshën 44 vjeçare si pasojë e një arresti kardiak.

Ai ndodhej në hotel ‘Rogner’ kur nuk është ndjerë mirë dhe është nisur menjëherë me urgjencë në QSUT, ku dhe ka ndërruar jetë.

Sipas burime për Versus.al Bogdani ka mbërritur me puls zero në spital ku më pas është vendosur dhe në intubim.

Asnjë përpjekje e stafit mjekësor nuk ka mundur ta mbajë në jetë ish-deputetin.

Po kush ishte Gerti Bogdani?

Gerti Bogdani lindi më 7 korrik 1980 në Tiranë.

Pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, Gerti Bogdani vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku diplomohet me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award - ‘Medalje Ari’.

Mbas mbarimit të studimeve ai rikthehet në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike në Universitetin e New Yorkut –Tiranë. 

Karrierën politike e fillon në vitin 2007, ku kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën dhe e fiton.

Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 ai zgjidhet zv/president i "Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë" (International Young Democrat Union - IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar.

Në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Gerti është i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe është babai i dy fëmijëve./Versus.al

 

Poll