
Brexiteeri Nigel Farage po përgatitet të marrë rrobat e banjës dhe shapkat për t’u nisur drejt Shqipërisë me diell — nëse i besohet një shkëmbimi të fundit në rrjetet sociale me kryeministrin Edi Rama.
Të dy kanë shkëmbyer kritika të ashpra pasi kryeministri shqiptar foli për një Britani “shumë të errët” pas Brexit-it dhe politikave të saj kontraverse për emigrantët.
Farage u hakmor duke i thënë Ramës të “merrte mbrapsht të gjithë kriminelët”, duke këmbëngulur se një në 50, ose edhe më shumë, janë shqiptarë. Situata vetëm sa u përshkallëzua. Rama, në një seri postimesh në X, i quajti shifrat e Farage-s “ të çmendura”, megjithatë vendosi ta godiste Farage-n me mirësi dhe ta ftonte të vizitonte Shqipërinë për të shijuar diellin, mikëpritjen. Farage përfundimisht e pranoi ftesën me kusht që të diskutonte kthimin e të burgosurve shqiptarë.
Çfarë mund të përfshijë programi i pushimeve të Farage në Shqipëri?
Gazeta POLITICO i kërkoi koment Nigel Farage dhe Edi Ramës për datën e mbërritjes së fluturimit të Farage, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit. Megjithatë, POLITICO krijoi një itinerar të mundshëm, për çdo rast.
Vizitë në bunkerat: Shqipëria është shtëpia e rreth 700,000 bunkerëve betoni të ndërtuar gjatë regjimit totalitar komunist të diktatorit Enver Hoxha. Këta bunkerë ishin për mbrojtje nga ndonjë pushtues i mundshëm, diçka që mund ta frymëzojë Farage-n në përpjekjen e tij për të mbrojtur “pushtimin” e migrantëve nga ana tjetër e Kanalit Anglez.
Takim me disa burrnesha: Farage është shprehur hapur kundër agjendës “woke” dhe planit të tij për të ndaluar “ideologjinë transgender,” kështu që ndoshta një takim me disa virgjëresha të betuara do të ishte interesant për të. Të njohura edhe si “burrnesha,” këto janë gra që për të marrë përgjegjësitë e babait të ndjerë ose kryefamiljarit mashkull, bëjnë betimin e celibatit dhe vishen dhe sillen si burra. Edhe pse numri i tyre është pakësuar dhe ndonëse nuk lidhen me komunitetin LGBTQ+, kjo mund t’i japë atij diçka për t’u menduar.
Të pijë raki: Pas një vizite në Bullgari në 2013, ku përmendi me të njëjtën retorikë migracionin, Farage u filmua duke shijuar një gotë verë dhe muzikën e valltarët lokalë. Ai mund të përpiqet të ndryshojë birrën e tij të zakonshme me raki, një pije e fortë nga rrushi ose kumbulla, për të kaluar netët e verës.
Vizitë në Selinë Botërore Bektashiane: Duke u akuzuar më parë për retorikë anti-muslimane, Farage mund të zgjerojë horizontin me një vizitë në Selinë Botërore Bektashiane në Tiranë, shtëpia e një sekte të moderuar të sufizmit islam që pranon gratë dhe alkoolin në ritualet e saj. Ajo mund të bëhet si Vatikani i Shqipërisë, nëse plani i Ramës për ta kthyer në një shtet sovran brenda vendit deri në 2025 realizohet.
Të kthehet tek rrënjët e tij: Si nipi i madh i një emigranti gjerman që u largua për në Mbretërinë e Bashkuar për një jetë më të mirë dhe bashkëshorti i një gruaje gjermane, Farage mund të bëjë një vizitë në Varrezat Gjermane të Luftës në qendër të Tiranës. Në varësi të kohës së vizitës, ai mund të jetë edhe mysafir nderi në ceremoninë e përbashkët të organizuar nga ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë çdo Diel përkujtimore. Ai gjithashtu mund të vizitojë një fragment të Murit të Berlinit pranë zyrës së Ramës.
Vizitë në Teatrin e Kukullave: Farage ka thënë për veten se është “antagonist i pantomimës” dhe se kur të largohet nga politika dëshiron të shkojë në teatër. Kështu, ai mund të përdorë vizitën për të shkuar në Teatrin historik të Kukullave, i restauruar me fondet e Bashkimit Evropian pas tërmetit të vitit 2019. Ky teatër mund t’i kujtojë edhe kohën kur e quajti presidentin francez Emmanuel Macron “kukull” të ish-kreut të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.
Vizitë te statuja e Mbretëreshës Elizabeth II: Në qytetin verior Has, ku mbi 80% e banorëve kanë familjarë në Mbretërinë e Bashkuar, është ngritur një statujë e Mbretëreshës Elizabeth II në qendër. Farage mund të shkojë edhe në Kukës, një tjetër qytet me lidhje të forta me Mbretërinë e Bashkuar, ku mund të vizitojë “Costa Caffe” dhe të numërojë makinave me targa britanike të verdha. Kukësi ishte i pari në botë që u nominua për Çmimin Nobel për Paqe për ndihmën ndaj rreth 400,000 refugjatëve kosovarë gjatë luftës 1998-1999, një histori që mund ta frymëzojë Farage-n për ndryshim.
Të pijë një kafe të mirë: Farage u bë i famshëm pasi gjatë fushatës zgjedhore 2024 iu hodh një filxhan kafeje, por në Shqipëri pritet të marrë një pritje shumë më të ngrohtë. Shqiptarët e marrin shumë seriozisht kafenë dhe Tirana ka një nga numrat më të lartë të kafeneve për frymë në Evropë. Për më tepër, “besa,” kodi shqiptar i nderit që vendos mysafirët mbi Zot dhe familjen, do ta mbrojë nga incidente të ngjashme.
Thjesht të pushojë në plazh: Sipas imazheve të krijuara nga inteligjenca artificiale e Ramës, qëndrimi në plazh do të jetë prioriteti kryesor. Bregdeti i Shqipërisë shtrihet për rreth 276 kilometra përgjatë detit Adriatik dhe Jon, dhe i ofron shumë mundësi për një pushim të merituar.
Por seriozisht, kush ka të drejtë?
Në tetor 2024, gazeta The Telegraph publikoi një artikull ku pretendohej se 52,000 shqiptarë jetonin në Mbretërinë e Bashkuar, nga të cilët 1,227 ishin në burg – shifra që duket se përbën bazën e pretendimeve të Nigel Farage.
POLITICO kontaktoi ambasadorin shqiptar në Londër, Uran Ferizi, për të kërkuar të dhëna mbi numrin e shqiptarëve në Mbretëri. Ai tha: “Ne besojmë se janë më shumë se 300,000,” dhe ndau një dokument ku theksohej se shifrat e Telegraph përjashtojnë shqiptarët e natyralizuar, fëmijët shqiptarë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe “dhjetëra mijëra” shqiptarë me pasaporta greke dhe italiane, sipas të dhënave konsullore.
Sa i përket numrit të shqiptarëve në burg, dokumenti i ambasadës thotë se nuk merren parasysh mosha, gjinia dhe statusi socio-ekonomik. Kur këto elemente merren në konsideratë dhe llogaritet numri real i shqiptarëve në Mbretëri, shkalla e burgosjes del të jetë: “afërsisht 1 në 500.”
Nëse Farage pranon që faktet e tij janë të gabuara, Rama ka kërkuar që ai të jetë i pari që t’ua thotë të gjithëve që flasin keq për shqiptarët: “të mos e bëjnë më.”/Marrë nga Politico







