
Kryeministri Edi Rama në hapjen e fjalimit të tij foli për protestën e mbajtur prej më shumë se 54 ditësh në vend. Duke thënë se në protestë morën pjesë dhe zyrtarë të administratës e qytetarë socialistë, Rama tha se kjo ishte falë ndryshimit rrënjësor të vendit.
“Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjesisht, njerëzit nuk jetojmë më as me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhin as me inkurajimin e gjërave që ndërtohen siç ndodhte deri dje ku prisnin që pas shkollës e rrugës që u ndërtua në lagjen tjetër t’i vinte rradha shkollës e rrugës së lagjes së tyre. Në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin si një tension mes asaj që dëgjojnë e shohin dhe asaj që kanë. Herë si burim pikëpyetjesh se çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë si pasiguri për pjesën e tyre”- tha Rama.
Ndërsa shtoi se protesta e flamingove i dha fund epokës ku njerëzit kënaqeshin me pak dhe hapi një tjetër epokë të pritshmërive të rritura.
“Me fjalë të tjera shokë dhe shoqe nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, arritje, integrime duke treguar se çfarë bëmë deri këtu, por duhet të qeverisim në përditshmëri me nevojën e shqiptarit të sotëm. Zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më aty ku ishin deri dje, se çfarë ndryshon në territor, ata janë ankoruar tek pritshmëritë e tyre. Prandaj edhe bulevardi i flamingove, duhet parë si pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re të cilën duhet ta kuptojmë ne të parët. Unë vetë në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është ajo e mungesave. Ku një rrugë e re ishte fitore kolektive, shkollë e re ishte festë e përbashkët, një lulishte e re pritej me duartrokitje. Në epokën e mungesave, shoqërinë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë dhe i gëzohen çdo ndryshimi si fëmijët në dhurata.
Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standart, jo fitore. Nuk durohet më dot asnjë mungesë shërbimi. Shoqëria nuk e çon më nëpër mend nëse ka edhe më keq, por ka edhe më mirë”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

