
Sot mbushen plot 30 ditë nga nisja e protestave që tronditën klasën politike në Shqipëri. Prej një muaji tanimë, qindra mijëra qytetarë në Tiranë, qytete të tjera të Shqipërisë dhe në diasporë protestojnë me kërkesë kryesore ndryshimin e sistemit politik 35 vjeçar dhe burgosjen e 2 liderëve më jetëgjatë në pushtet gjatë periudhës së tranzicionit, Edi Ramës dhe Sali Berishës.
‘Fitili’ që ndezi revoltën e shqiptarëve
Më 30 maj, një grup qytetarësh protestuan në Zvërnec kundër rrethimit me gardh në lagunën e Nartës ku është planifikuar zhvillimi i një projekti të resortit turistik për të cilin kryeministri Edi Rama pretendon se 2 vëllezër nga Katari do të investojnë 4 miliardë euro.
Gjatë protestës pati përplasje mes protestuesve dhe disa rojeve private të “Major Security” të cilët tërhoqën zvarrë njërin prej pretendentëve të tokës në sy të qindra qytetarëve të tjerë dhe të policisë së shtetit që thjesht qëndronte pa bërë asnjë veprim.
Kjo indiferencë nxiti reagimin e qindra mijëra shqiptarëve përgjatë një muaji në vazhdim duke u ngritur në protesta masive që kërkonin anulimin e ligjit që lejon ndërtimet në zonat e mbrojtura, anulimin e Paketës së Maleve, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndryshimin e Kodit Zgjedhor etj. Kërkesat e tyre iu drejtuan edhe SPAK-ut duke kërkuar hetimin dhe arrestimin e Ramës, Berishës dhe ministrave të qeverisë.
Revolucioni Flamingo
Kjo revoltë e qytetarëve që shkaktoi protesta masive në Tiranë ku më 20 qershor u mblodhën me mijëra shqiptarë të diasporës, u quajt “Revolucioni i Flamingove” për të shpendëve që popullojnë zonën e Nartës. Ndikimi ishte aq i fortë sa edhe kryeministri Edi Rama veshi bluze me flamingo dhe ndryshoi edhe fotografitë e tij në rrjetet sociale.
Ajo çfarë bën më shumë përshtypje është se përgjatë gjithë këtyre javëve, ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim nga protestat e mëparshme në Shqipëri, këtë herë në protestë ishin edhe nëna me fëmijë. Atmosfera ishte e tillë që përgjatë 1 muaji, protestuesit nuk thyen as edhe një xham duke treguar sjellje shembullore dhe qytetari.
Rama: Nuk jap dorëheqje
Ndërkohë që qytetarët prisnin që masiviteti i protestave të bënte që kryeministri të dëgjonte kërkesat e tyre dhe të dorëhiqej, Rama ka deklaruar disa herë se këtë gjë as nuk e çon ndërmend. Ai ka vijuar me pretendimet e tij se është votuar nga mbi 800 mijë qytetarë dhe se ka një kontratë me ta deri në vitin 2030.
Protestuesit kanë njoftuar një tjetër protestë mbarëkombëtare më 4 korrik ku kanë bërë thirrje që të jenë të pranishëm shqiptarë nga të gjitha rrethet e vendit dhe nga diaspora për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Deri më tani, protesta është përcjellë vazhdimisht nga mediat ndërkombëtare të cilat e konsiderojnë protestën e shqiptarëve si një frymëzim për njerëzit e vendeve të tjera edhe për faktin e qytetarisë së treguar duke mos thyer as edhe një xham përgjatë 1 muaji. Versus.al

