POLITIKË /

'Provoi sot shijen e gjellës që gatoi vetë'! Shkarkimi i Veliajt, Zhulali: Ka të fala nga familjet e 5 Majit që i tërhoqi zvarrë, e nga Ardit Gjoklaj

Zhulali akuzoi socialistët se nuk e lejuan kryetarin e Bashkisë të merrte pjesë në seancë.

Shkruar nga Versus
'Provoi sot shijen e gjellës që gatoi vetë'! Shkarkimi
Ilda Zhulali në Këshillin Bashkiak

Këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, mori fjalën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku po diskutohet shkarkimi i Erion Veliajt.


Ajo akuzoi socialistët se nuk e lejuan kryetarin e Bashkisë të merrte pjesë në seancë.

Sipas Zhulalit, vendimi për shkarkimin e Veliajt është i paplotë, duke theksuar se ai duhej të ishte shkarkuar më herët për “shpërdorim detyre”. Fjalën e saj e ndërpreu kryetarja e Këshillit, Megi Fino, duke e konsideruar jashtë objektit të diskutimit.

“Zonja Kryetare, Erion Veliaj është gjallë, se duket sikur po e bëni si një ceremoni funebre.

Në fakt ai duhet të ishte këtu, sikurse ia lejon ligji, por duke qenë se ju ia mohuat, unë jam e kënaqur që sot ai mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për gjithë këto vite.
Dhe këtë gjellë që sot ia gatuat ju të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste, le ta provojë zoti Veliaj nga qelia ku është, dhe nëse na ndjek, e përshëndesim.

Vendimi që ju keni sjellë sot është një vendim i vonuar dhe gjithashtu i paplotë. Erion Veliaj duhej të ishte shkarkuar nga kjo detyrë që në vitin 2023 ku edhe padrejtësisht mori detyrën në fakt.

Është i paplotë sepse Erion Veliaj duhej shkarkuar për shkelje të rënda të ligjit, së pari dhe mbi të gjitha.

Duke shkelur ligjin për inceneratorin, një vepër që nuk u ndërtua kurrë, dhe që duhej t’i ishte dorëzuar qytetit të Tiranës 3 vite më parë, për të cilin ne kemi paguar qindra milionë euro dhe do vazhdojmë të paguajmë edhe qindra milionë të tjera.

Unë i bëj shumë të fala Erion Veliajt nga familjet e 5 Majit që hoqi zvarrë, burra, gra e fëmijë. Ke shumë të fala, Erion, ata janë shumë të lumtur që ti sot do të shkarkohesh me ceremoni.

I bëj tërë të falat Erion Veliajt nga banorët e Astirit, që u bëri të njëjtën gjë. I bëj të fala nga Ardit Gjoklaj, i bëj të fala nga të gjitha bizneset e Tiranës të cilët i zhvasin njëri pas tjetrit të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë, të emëruar nga Erion Veliaj dhe ata që vijnë pas tij.'”, deklaroi Zhulali./Versus.al

Poll