
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit jashtë marrëveshjes së arritur me Shtetet e Bashkuara rrezikon të përshkallëzojë më tej situatën në rajon.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të shtuara mes Teheranit dhe Uashingtonit, me të dy palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të parashikuar në memorandumit e nënshkruar më 17 qershor, që lidhet me rregullimin e lundrimit në këtë korridor strategjik detar.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, u rihap më 17 qershor, por Irani ka vendosur kufizime të rrepta për qarkullimin e anijeve, duke lejuar vetëm një korridor përgjatë bregdetit të tij dhe duke paralajmëruar se çdo shkelje e rregullave mund të çojë në sulme ndaj mjeteve lundruese.
Situata është tensionuar më tej pasi Omani, në bashkëpunim me OKB-në, njoftoi hapjen e një rruge alternative detare për evakuimin e anijeve të bllokuara në zonë. Menjëherë pas këtij zhvillimi janë raportuar sulme ndaj një anijeje mallrash dhe një tanker nafte, duke rritur përplasjet diplomatike dhe ushtarake në rajon.
Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Iranin për një nga sulmet dhe kanë goditur objektiva ushtarake iraniane, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj pozicioneve amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.Versus.al

