POLITIKË /

Rama pas refuzimit të arrestimit të Ballukut: Kërkesa e SPAK s'përmbushte kushtet. Ndërkombëtarët...

Kryeministri: Kërkesa e SPAK nuk plotësonte kushtet, përpjekjet për ta lidhur me integrimin janë të shëmtuara

Shkruar nga Versus

Rama pas refuzimit të arrestimit të Ballukut: Kërkesa e SPAK

Një ditë pasi shumica parlamentare e PS refuzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama reagoi duke deklaruar se ky vendim nuk përbën asnjë pengesë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një konferencë për shtyp, Rama u shpreh se vendimit të një dite më parë i është dhënë, sipas tij, një interpretim i deformuar, duke theksuar se kërkesa e SPAK nuk përmbushte kushtet e nevojshme për t’u marrë në konsideratë.

“Kërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet për t’u marrë në konsideratë. Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër, apo për t’i dhënë përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, është një përpjekje e shëmtuar”, deklaroi Rama.

Sipas tij, pretendimet se ky vendim mund të pengojë reformën në drejtësi apo pavarësinë e institucioneve janë të pabazuara dhe lidhen, sipas kryeministrit, me tentativa për të ngadalësuar procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Janë disa çështje që meritojnë të adresohen dhe që janë të lidhura me interesin  e publikut besoj, duke nisur nga projekti strategjik i Portit të ri tregtar dhe ushtarak të Shqipërisë dhe duke vijuar me impaktin e luftës kundër regjimit kriminal në çmimin e naftës, por gjëja që vjen si rrjedhojë është edhe çmimi i ushqimeve. Këto këta ishin të parashikuara për sot. Por do ta nis nga vendimi i djeshëm i parlamentit, ju e keni ndjekur të gjithë rrjedhën e ditës, besoj edhe prononcimin tim që dua ta përsëris, lidhet drejtpërdrejtë me të vërtetën që kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë.

Rama shtoi se vendi po ecën me hapa të shpejtë në procesin e integrimit dhe se nuk ka asnjë frenim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

"Ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo për t’i dhënë përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në Drejtësi, apo aktivitetin e pavarur të drejtësisë është përpjekje e shëmtuar. Në dëshpërimin e vet ka të gjithë ato ingredientë që në të përditshmen tonë është përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet. Nuk kas asgjë të re, por materiali në këtë rast është i favorshëm për të torolisur njerëzit dhe për të fryrë daullen e luftës kundër qeverisë dhe shumicës së kësaj qeverie. Nuk ka asnjë frenim të rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE”, tha ai.

Kryeministri Rama hodhi poshtë zërat e presionit nga ndërkombëtarët. Ai tha se nuk ndodhin në nivelet ku bëhen diskutimet dhe kushdo që thotë se mbaroi ëndrra europiane, nuk dëshiron suksesin e saj.

“Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e saj dhe gjithë shqiptarët dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë s’më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë dhe as pranoj të më shohë njeri. Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime. Edhe vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon. Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit, ju them me plot gojën që leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është në rastin më të mirë, pervers, dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm për të lënduar këdo që dëshiron suksesin në këtë rrugë. Kush merret me këto deformime dhe i bie kësaj daulleje, nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge sepse e lidh me qeverinë, me mua, me ne”, tha Rama. /VERSUS

 

 

 

 

Poll