POLITIKË /

Raporti i KE-së për shtetin e së drejtës në Shqipëri: Problem presioni i zyrtarëve publikë ndaj drejtësisë dhe korrupsioni

Sipas raportit, tetë magjistratë nga të cilët dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë janë vendosur nën mbrojtje për shkak të rrezikut

Shkruar nga Versus

Raporti i KE-së për shtetin e së drejtës në

Komisioni Europian vlerëson se Reforma në Drejtësi ka sjellë më shumë stabilitet në sistemin gjyqësor shqiptar, por thekson se presioni ndaj institucioneve të drejtësisë dhe korrupsioni vijojnë të mbeten ndër sfidat kryesore për vendin.

Në raportin vjetor për shtetin e së drejtës, Komisioni Europian ngre shqetësimin se gjatë periudhës së monitorimit kanë vazhduar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë edhe në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim mbi institucionet e drejtësisë. Raporti evidenton gjithashtu sulme publike dhe personale ndaj magjistratëve, përfshirë prokurorët e SPAK-ut.

Sipas raportit, tetë magjistratë – dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë – janë vendosur nën mbrojtje për shkak të rrezikut, mes tyre prokurorë të SPAK-ut dhe ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioni Europian ndalet edhe te reagimet që pasuan pezullimin nga detyra të një zyrtari të lartë me vendim të Gjykatës së Posaçme, si edhe kërkesën e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të tij. Sipas raportit, këto zhvillime u shoqëruan me reagime të forta nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore, ndërsa institucionet drejtuese të sistemit të drejtësisë reaguan publikisht duke denoncuar presionin politik.

Raporti evidenton gjithashtu mangësi në aksesin e qytetarëve në drejtësi, duke përmendur problemet me ndihmën juridike falas, infrastrukturën dhe sigurinë në gjykata.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Komisioni Europian vlerëson se kuadri institucional është përmirësuar, por koordinimi mes institucioneve dhe organeve të zbatimit të ligjit mbetet i dobët.

RAPORTI

 

 

Poll