
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas deklaratës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ku kritikohej vendimi për anulimin e seancës plenare në kuadër të vizitës që presidenti turk Erdogan zhvillon sot në vend.
Në reagimin zyrtarë të shpërndarë nga Kuvendi, Spiropali i ka bërë thirrje kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit që të reflektojë mbi atë që ajo e konsideroi “degradim etik”.
“Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre. Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional”- thuhet në reagimin e shpërndarë nga institucioni.
PD e akuzoi më herët Spiropalin se vendimi për anulimin e seancës plenare pa asnjë lloj njoftimi paraprak, është në shkelje të ligjit. Versus.al








