
Prania e rektorit të UBT-së Fatbardh Sallaku në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së pasi SPAK lëshoi 24 masa sigurie ndaj stafit të akuzuar për abuzime me tendera, ka sjellë debate në Kuvend.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi e konsideroi këtë si një shkelje të hapur të kushtetutës dhe i kërkoi presidentit Bajram Begaj shkarkimin e menjëhershëm të rektorit.
“E shfrytëzoj këtë mundësi për t’i kërkuar presidentit të Republikës shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të një rektori që nuk njeh kushtetutë dhe ligj. Që vjen me kërkesa private, jo publike. I shkruajti Edi Ramës dua të vij të rrëfehem se ti je prifti dhe kushtetuta? Nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend të botës. Mund të vijë në seancë plenare nëse ka nevojë për mbështetje si universitet, por kurrë në një parti politike”- tha Bardhi.
Më tej shtoi se Sallaku dhe Rama janë të shqetësuar nga hetimet e SPAK dhe paralajmëroi se në rast se një gjë e tillë përsëritet, deputetët e PD do jenë të pranishëm në sallë.
“Ka ardhur atje sepse keni një hall të përbashkët dhe halli juaj është si të pengoni SPAK-un të luftojë korrupsionin. Ju paralajmëroj në emër të PD që nëse thërrisni më njerëz të akuzuar nga prokuroria, grupin parlamentar do e keni aty në sallë”- u shpreh Bardhi ndër të tjera. Versus.al







