Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo gjatë konferencës për mediat foli edhe për protestat masive që kanë përfshirë vendin prej 36 ditësh. Duke mos u marrë me thelbin e protestës dhe rezistencën prej më shumë se një muaji të dhjetëra mijëra qytetarëve, Demo tha se protesta po reduktohet dita-ditës.
Ndërsa foli edhe për dhunën e shfaqur nga një grup protestuesish para Kuvendit, Demo tha se nuk mundet që të normalizohet intimidimi dhe gjuha e urrejtjes. Në vazhdim shtoi se qeveria duhet të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve për nivelin e shërbimeve.
“Dhuna ka marrë forma të ndryshme, qoftë në dyert e parlamentit, por edhe gjuha është e rëndësishme. Nuk mund të krijojmë një shoqëri ku të normalizojmë intimidimin apo urrejtjen që nuk e dimë se ku na çon. Urrejtja nuk sjell as energji pozitive dhe as zhvillim në territor.
Protesta qartazi, dita-ditës thahet. Edhe në konceptin e ideve që ofron. Ajo që është e rëndësishme politikisht është se qeveria shqiptare ka gjithë vullnetin që të dëgjojë jo thjesht kërkesat e atyre që dalin në protestë, por britmat e çdo segmenti të shoqërisë që me të drejtë kërkon të ketë ndryshim real sa i përket shërbimeve apo standarteve të reja që shoqëria kërkon. Ne duhet të jemi këtu të gatshëm për t’i dhënë një përgjigjie të qartë dhe për të marrë çdo lloj kostoje dhe për të krijuar mundësi zhvillimi. Vetë mandati i kësaj qeverie ka një kurorë që i mbulon të gjitha, shpesh herë edhe shqetësimet e drejta”- u shpreh Demo mes të tjerash. Versus.al

