Ervin Salianji, ish-deputeti i Partisë Demokratike, rrëfeu me jo pak emocine përvojën e tij të vështirë në burgun e Fierit, një kapitull i jetës që e përkufizon si një “medalje politike” dhe një provë e rëndë njerëzore. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai theksoi se ka zgjedhur gjithmonë të mbajë jetën personale larg vëmendjes publike, nuk e fshehu dot mallin për të afërmit dhe përditshmërinë jashtë burgut. “Më kanë munguar bisedat, kontaktet njerëzore, edhe kjo që po bëjmë tani”, tha ai me sinqeritet.
Salianji e konsideron dënimin e tij si një padrejtësi që, në vend ta thyejë, e ka forcuar. “Kam qenë në qeli, por kam shkruar, kam reflektuar. Kam parë sesi edhe mungesa e ujit bëhet një sfidë që e përballon me dinjitet”, rrëfen ai.
Për Salianjin, çasti më i vështirë ishte dita e parë, ajo përplasje me realitetin e qelisë, por që më pas u shndërrua në një periudhë për të provuar forcën e karakterit.
Pavarësisht izolimit, ai u ndje i mbështetur nga të gjitha krahët politikë dhe nga qytetarët që i thërrisnin emrin përtej hekurave. “Thërrisnin ‘Rama ik’ dhe unë kuptoja që nuk isha vetëm”, kujton ai. Qëndrimi në burg do të përshkruhet më gjerësisht në një libër që ai ka nisur të shkruajë, një dëshmi që do të hedhë dritë mbi padrejtësinë që e ndjek në hije. “Nuk më dënuan për korrupsion, por për një kallëzim që s’e kam bërë kurrë. Sepse iu prishja punë për zgjedhjet”, thotë ai pa mëdyshje.
Megjithatë, ai ruan respekt për stafin korrekt të burgut të Fierit, ndërsa tregon sesi gjithçka ndryshon kur jeton me mungesën: mungesën e telefonit, të fjalës së lirë, të privatësisë. “Në fillim kërkon ku e ke telefonin nga instinkti”, thotë ai me një buzëqeshje të hidhur, i bindur se burgosja e tij ishte politike, dhe se do ta mbajë si një shenjë nderi në betejën për demokraci dhe drejtësi në Shqipëri.







