
Gjatë fjalës së tij në hapjen e Kongresit Ndërkombëtar të Sundimit të Ligjit, kryeministri Edi Rama tha se askush më parë nuk do e kishte imagjinuar që Shqipëria të mirëpriste një organizim të tillë. Ndërsa foli për Reformën në Drejtësi, Rama tha se në anketimin e bërë asokohe 90% e shqiptarëve ishin pro vettingut.
Teksa dha këto shifra, Rama tha se ky lloj perceptimi i shumicës ka qenë shumë i vështirë për t’u arritur në një kohë kur shqiptarë nuk bëhen bashkë as për një orar të caktuar.
‘’Askush nuk e kishte imagjinuar që Shqipëria do të zgjidhej si një vend mikëpritës i këtij Kongresit, jo për pozicionin gjeografik, jo për klimën. Por për cka Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit në raport me një sfidë historike dhe të pamundur për shumë dekada për popullin shqiptar. Janë kushtet e një vendi që sundohet nga ligji e jo nga forca! Ishin ne që besuam të parët në reformën e ligjit dhe bëmë që ata që e përshëndetën vettingun, ta mbështesin me ne.
Mbështetja ka qenë padiskutim kryesorja. Asokohe morëm dy të dhëna shumë domethënëse, 90 e kusur % e shqiptarëve mbështesnin fuqimisht vettingun e Gjykatës dhe prokurorëve. Shqiptarët e dinë shumë mirë që të bësh bashkë 90% të shqiptarëve për në çështje është e rrallë! Edhe për orën që po zhvillohet takimi sot do të kishim probleme me dakordësimin mes shqiptarëve’’- u shpreh kreu i qeverisë. Versus.al


