Deputeti i PD, Dashnor Sula i ftuar në studion e Breaking ka folur për takimin që ka patur me deputetin Ervin Salianji në burgun e Fierit ku po vuan dënimin me 1 vit burgim për kallëzim të rremë në dosjen Babale.
Ai tha se e kishte parë Salianjin me moral të lartë dhe se e kishte gjetur duke lexuar mbi aktivitetin politik që kishte patur ai vetë dhe deklaratat e rivalëve politikë.
“Ishte zero i demoralizuar, e kam parë me dy libra, jo letrarë. Një ishin fjalimet e Kuvendit që ka patur, aktivitetin politik ku po nxirrte materiale. Po studionte edhe deklaratat që kanë bërë kundërshtarët tanë politikë, është duke punuar fort”, tha Sula.
Duke treguar se këtë herë kishte qenë për ta vizituar së bashku me deputetin Saimir Korreshin, Sula tha se do ta vizitojnë në mënyrë periodike Salianjin.
“Çdo javë do të paraqitemi për të shkuar për ta takuar, për ta informuar dhe për t’i treguar se do ta mbështesim dhe nuk do ta lëmë vetëm, sepse po bën burgun e grupit parlamentar të PD. Do të jemi pranë në çdo moment. Familjarët duhet të jenë krenar për djalin e tyre, pasi nuk ka bërë gjëra të pista”, u shpreh deputeti.
Të hënën, Kuvendi shpalli vakancën për postin e deputetit dhe vendin e Ervin Salianjit pritet ta marrë pasuesi i tij në listën e Korçës, Andrea Mano. Me dënimin dhe arrestimin e Salianjit, nisi edhe përshkallëzimi i aksionit opozitar ku deri më tani opozita ka bojkotuar mbledhjet e komisioneve dhe ka shkaktuar përplasje në seancë plenare të Kuvendit duke e cilësuar dënimin e Salianjit si “politik”. Versus.al