POLITIKË /

"S'i paskam unë të gjitha pushtetet", Rama për Veliajn: Logjikisht Kushtetuesja duhet ta lirojë pasi e riktheu në detyrë

Kjo është e dyta herë që Rama komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Erion Veliajn duke thënë se sipas logjikës së tij, kryebashkiaku duhet të lirohet nga qelia.

Shkruar nga Versus

"S'i paskam unë të gjitha pushtetet", Rama për

Kryeministri Edi Rama mbajti sot podcastin e radhës “Flasim” ku komentoi mbi situata të ndryshme politike të vendit si dhe për zgjedhjet e pjesshme që mbahen të dielën në 5 bashki.

Por teksa e nisi me ripërsëritjen e projektbuxhetit 2026, vijoi më tej me komentimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Erion Veliajt. Sipas Ramës kjo gjë tregoi edhe njëherë se ai nuk i ka kapur të gjitha pushtetet. Por shtoi më tej se me këtë vendim, logjikisht sipas tij, Kushtetuesja duhet të pranojë kërkesën e Erion Veliajt për t’u liruar nga qelia.

“Ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim. Së pari siç duket dhe nuk është hera e parë që duket, unë nuk i paskam kapur të gjitha pushtetet dhe është gjë e mirë që duhet ta pranojnë edhe ata që faktikisht e kundërshtojnë jo mbi të vërtetat, por mbi të pavërtetat. Nëse Tirana nuk do ketë zgjedhje deri në 2027-ën, kushtetuesja mendon se kryebashkiaku nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë jemi në një dispropocion të dyfishtë, disproporcionit të mbajtjes së tij në qeli në dëm të të drejtave të tij si person dhe si i zgjehdur për drejtimin e qytetit, por edhe disproporcioni të popullit të qytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vetë.

Së treti, nuk ka sesi të mos pritet që kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë duke vijuar procesin ndaj tij në gjendje të lirë. E para dhe e dyta janë të sigurta, e treta mbetet për t’u parë”- tha Rama.

Ai përsëriti se kryeqyteti nuk mund të mbetet “trup pa kokë” dhe se këtij ngërçi duhet t’i jepet zgjidhje sa më parë.

“Çfarëdo është thënë, nuk ka thënë të vërtetën e shkarkimit të PS ndaj Veliajt sepse e vërteta është shumë e thjeshtë, Tirana duhet drejtuar, Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë. Kryeqyteti ka nevojë për të zgjedhurin e vetë mbi krye, kështu që kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë, ky është një skandal në vetvete për të cilin qytetarët paguajnë kosto të padrejtë”- shtoi kreu i qeverisë.

Ndërkohë, Erion Veliaj mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti nën akuzë për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futjen e sendeve të paligjshme në qeli.

Kushtetuesja shqyrtoi ankimin e tij kundër shkarkimit të qeverisë duke e konsideruar shkelje faktin që Veliaj nuk ishte thirrur nga këshilli bashkiak për të qenë i pranishëm, gjë të cilën socialistët nuk e bënë edhe përse opozita iu kërkoi që të zbatonin ligjin në mënyrë që Veliaj të mos kishte indicie kundër shkarkimit të tij. Versus.al

Poll