Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin “Kjo Javë” ka folur për atë që ditë më parë u publikua në media si “skandali i mbetjeve toksike të rrezikshme” të cilat pritet të kthehen në Shqipëri nga ku ishin nisur rreth 1600 tonë të tilla por u kthyen mbrapsht nga vendet aziatike.
Kumbaro ashtu siç edhe kryeministri Edi Rama tha në interpelancën ku iu përgjigj pyetjeve të opozitës, kërkoi që të pritej për të parë përfundimin e hetimeve të prokurorisë së Durrësit.
“Që kur kishin indicie u ngrit grup pune, jemi në bashkëpunim me prokurorinë e Durrësit duke i vënë në dispozicion të gjitha të dhënat që kemi. Çështja është në ndjekje të përditshme nga shumë agjenci shtetërore dhe Prokuroria e Durrësit. Duhet të presim me durim rezultatet për të mbërritur në një konkluzion përfundimtar”- tha Kumbaro.
Ajo shpjegoi se fakti që mbetjet konsiderohen si të rrezikshme nuk do të thotë që janë edhe toksike dhe kërkoi që të mos përhapej panik lidhur me këtë pjesë.
“Pra që nga një restorant që krijon mbetje të mbeturinave organike të restorantit të vet, një fasoneri që krijon mbetje nga materialet që dalin jashtë shërbimit, një gurore që mund të krijojë mbetje, një industri që prodhon hidrokarkbure, nafta, industria e çelikut dhe metaleve të ndryshme, të gjitha krijojnë mbetje, por këto mbetje menaxhohen nga subjekti brenda rregullave të përcaktuara nga ligji për mbrojtjen e mjedisit dhe ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Të gjitha këtu subjekte pajisen me një dokument. Në momentin që hapin biznesin, pajisen me një dokument që quhet leje mjedisore. Brenda saj janë kushtet e përcaktuara se si duhet t’i menaxhojmë mbetjet brenda territorit të tyre. Modeli është modeli europian i menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme e të pa rrezikshme. Të rrezikshme nuk do të thotë automatikisht toksike. Sepse shikoj që ka një konfuzion në media që krijon edhe panik”- tha Kumbaro ndërkohë që sqaroi procedurën e pajisjes me dokumentin e lejes mjedisore për bizneset në vend.
Në shpjegimin e dhënë, ministrja bie deri diku në kundërshti me qëndrimin e kryeministrin i cili ditë më parë Rama në interpelancë me opozitën tha se mbetjet nuk kanë rrezikshmëri.
Çështja e transportit të mbetjeve toksike është kthyer në një debat politik kombëtar prej ditësh pasi opozita kërkoi edhe interpelancë me kryeministrin të cilin e pyeti nëse mbetje të tilla do të kthehen në Shqipëri. Rama duke mos dhënë përgjigjie konkrete tha se rasti po hetohet nga prokuroria ndërsa këmbënguli se nuk kemi të bëjmë me mbetje toksike që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Versus.al







