Grupi parlamentar i Partisë Socialiste mblidhet sot në orën 09:00 për të diskutuar jo vetëm kalendarin për punimet e seancës plenare që mbahet nesër, por edhe për të dëgjuar Fatbardh Sallakun, rektorin e universitetit Bujqësor të Kamzës ku SPAK ditën e djeshme caktoi 24 masa sigurie.
Vetë kryeministri Edi Rama e njoftoi këtë dëgjesë gjatë ditës së djeshme menjëherë pas masave të lëshuara nga SPAK duke i cilësuar këto si ‘masa të lëshuara pa gjyq’ për një procedurë të disa viteve më parë. Sipas tij, edhe rektori Sallaku i ka rrëfyer se bëhet fjalë për një keqkuptim.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që grupi parlamentar socialist mblidhet për të diskutuar mbi masat e lëshuara prej SPAK. Filimisht ishte mbledhja e menjëhershme pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, arrestim për të cilin Rama tha se nuk është kryer sipas rregullave dhe se kreu i bashkisë më të madhe mund të ishte hetuar në gjendje të lirë.
Kritika pati edhe për vënien nën hetim të Klotilda Bushkës, e cila dyshohet se ka ndërhyrë në hetimet ndaj kryebashkiakut Veliaj. Versus.al







