POLITIKË /

U burgos për kallëzim të rremë, Ervin Salianji i drejtohet Gjykatës së Lartë për Rekurs

Ervin Salianji kërkon pezullim të dënimit me 1 vit burg, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata e Lartë

Shkruar nga Versus

U burgos për kallëzim të rremë, Ervin Salianji i drejtohet

Ish-deputeti i opozitës Ervin Salianji i është drejtuar Gjykatës së Lartë për Rekurs.

Salianji kërkon përveç pezullimit të dënimit me burgim edhe ruatjen e mandatit të deputetit, duke theksuar se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë.

“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit.

Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.

Në lidhje me efektet e ekzekutimit të dënimit më burg të kërkuesit, i referohemi vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me ratio e dënimit penal. Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 47, datë 26.07.2012, ka arsyetuar ndër të tjera se:

“24. Për sa i përket ratio të dënimit penal, Gjykata, në jurisprudencën e saj është shprehur se dënimi penal përmbush dy funksione të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si edukative. Nga njëra anë qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale. Nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes
së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale (shih vendimin nr.19, datë 01.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese).

25. Në përputhje me frymën e Kushtetutës, sanksioni penal i cilësdo natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore. Gjykata, duke pasur parasysh dhe doktrinën e konsoliduar evropiane në këtë fushë, ka theksuar se, që të jetë i pranueshëm dënimi penal në aspektin kushtetues, në përputhje me nenin 17/1 të Kushtetutës, duhet të jetë i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën. Në këtë mënyrë, që të mund të ketë një proces riedukativ të suksesshëm, duhet që ndëshkimi penal të perceptohet nga autori i veprës si i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën e kryer (shih vendimin nr.19, datë 01.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese”-thuhet ndër të tjera në shkresën drejtuar Gjykatës së Lartë

Poll