
Kryeminsitri Rama iu drejtua kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana duke e cilësuar si kampion të rindërtimit, përpara se të mbyllte fjalimin me kryetarët e Bashkive, që u zhvillua ditën e sotme në Kryeminstri.
“E bëre Shijakun avangardën e rindërtimit, duhet të bëhesh edhe kampion i legalizimeve”, tha Rama.
Për sa i përket legalizimeve kryeministri tha se kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duhet të marrë shembull nga kryetari i Bashkisë së Shijakut dhe të ketë një ecuri të tillë siç pat ky i fundit me rindërtimin.
Kështu u shkaktua dhe një debat midis Ramës dhe Ndreut, ku ndër të tjera i përmendi edhe marrëdhënien që ai ka patur me policinë para se të bëhej kryetar Bashkie.
Ndreu: Do ta kem për nder gjithë jetën që kam qenë pjesë e Policisë
Rama: Po bën polemika kot
Ndreu: Po bëj policin pra, po rri në zanatin tim
Rama: Ai merak do të të dalë me shpirtin ty
Ndreu: E kam për nder, ua thashë edhe njëherë., se ju kur doni të shani një njeri thoni je bërë si polic. Dhe kur duhet të bësh policin, s’na leni radhën ne policëve.
Rama: Unë kurrë nuk e them këtë. Mos përhap lajme të rremë. Më lejo të të them që këtë shaka e bëre tamam si polic.
Ndreu: Dakord pra, si polic.
Pas këtij diskutimi të shoqëruar me të qeshura ironike Ndreu foli për pjesën e legalizimeve ku sipas tij gjithçka është bërë me anë të bashkëpunimit dhe se komunikimi me Bashkitë ka qenë i drejtpërdrejtë. Për të një problem është edhe mosreflektimi i asaj që është diskutuar në Këshillin Konsultativ, ku disa dispozita duhet të ishin më detyruese dhe disa gjëra duhet të ishin më të përcaktuara. Pjerin Ndreu tha gjithashtu se duhet dhe mund të bëjnë shumë ndryshime për të përmirësuar ecurinë e legalizimeve, duke nxitur edhe dispozitat detyruese.
Sipas Ramës, Ndreu ishte i papërgatiur dhe se të gjitha këto që ai përmendi janë sqaruar.
“Do të jetë Bashkia ajo që do të luajë rolin kryesor dhe jo kadastra. Bashkia do të vendosë se cili është grupi prioritar dhe cilat janë dosjet kryesore. Pas kësaj i kalohen kadastrës për shqyrtim dhe në këtë mënyrë të dyja palët bëjnë punën e tyre dhe kontrollojnë njëra-tjetrën, sepse nëse e lëmë vetëm në një dorë prapë do të kemi probleme”, shtoi Rama.







