Në takimin me Europarlamentarët gjatë ditës së sotme, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë një denoncim të rëndësishëm.
Me një dosje të SPAK në dorë, Bardhi ka treguar se deputetë dhe ministra në detyrë kanë ndërhyrë në Prokurorinë e Posaçme dhe në polici për të çliruar pasuri të sekuestruara.
“Meqenëse gjykata ka vendosur një standard, që kur përmendet Edi Rama apo ministra të Edi Ramës në afera korruptive, vendos një paragraf që thotë ‘ndalohet publikimi i plotë dhe i pjesshëm i këtij vendimi.
Vendimi që kam në dorë është i kësaj natyre dhe ne do ta publikojmë, nëse prokuroria dhe gjykata nuk vepron ndaj ministrave të Ramës që përmenden në këtë dosje.
Mos më besoni mua, gjejeni vendimin numër 87, datë 28 korrik 2024 dhe lexoni vetëm 8 faqe, nga faqja 62-70 dhe do të shikoni se si deputetë, madje ministra të Edi Ramës, ndërhyjnë në Prokurorinë e Posaçme dhe në polici, për të hequr konfiskimet ndaj pasurive të grupeve kriminale.
Bëhet fjalë për një grup kriminal në qytetin e Elbasanit, një nga grupet më të rrezikshme, ku rezulton se një deputet, madje një ministër në detyrë i Ramës, ka ndërhyrë në prokurorinë e posaçme dhe në Policinë e Shtetit në kuadër të OFL-së që shpallën këta në 2020, për të çliruar pasuritë e sekuestruara nga policia dhe prokuroria në Elbasan.
Dhe e dini çfarë ka ndodhur? Janë çliruar pasuritë. Ai grup kriminal sot i ka të gjitha pasuritë, falë ndërjhyrjes politike në polici dhe në prokurori e gjykata, siç tregojnë përgjimet zyrtare të prokurorisë.’, u shpreh Gazment Bardhi në takimin me Europarlamentarët të zhvilluar gjatë ditës së sotme.








