Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në inagurimin e rrugës që lidh fshatin e Rrilës me Hidrovorin e Tales dhe autostradën Lezhë-Tiranë.
Megjithatë gjatë vizitës së Ramës ka patur një incident të pazakontë pasi dy persona janë ndaluar nga policia dhe janë shoqëruar në komisariat. Njëri prej tyre ishte protestues për pronat në Rrjoll të Velipojës, ndërsa tjetri mbështetës i PD dhe pjesëmarrës në protesta.
Ky i fundit, Festim Meta ka folur për mediat dhe ka treguar se ishte ndaluar padrejtësisht në rrugë dhe ishte shoqëruar në komisariat ku u mbajt për 4 orë deri në largimin e Ramës.
“Në momentin që shkova tek policia, më futën brenda, më bënë një procesverbal, më mbajtën 4 orë. Nuk e mora vesh arsyen përse më mbajtën. Unë jam qytetar i thjeshtë në punën time. Kryeministri paska ardhur në Lezhë për punët e tij dhe tani kanë patur frikë se ngaqë unë marr pjesë në protesta atje, se nuk më pëlqen ky është e drejta ime. Por isha në rrugën time duke shkuar. Të kapin në rrugë të madhe e të fusin brenda të mbajnë 4 orë, këtu kam parë. Ata u sollën mirë, por nuk e mora vesh përse u ndalova se as nuk më ka shkuar ndërmend. Pasi iku kryeministri më bënë procesverbalin aty dhe më lanë të shkoj”- u shpreh ai.
Mësohet se policia i ka ndaluar pasi ka patur informacione se mund të shkaktonin probleme gjatë takimit të Ramës për hapjen e rrugës. Versus.al

