
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbajti mbrëmjen e sotme një takim me departamentin e çështjeve sociale në selinë blu. Ai foli për situatën ekonomike të vendit duke nënvizuar se Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka të përcaktuar një minimum jetik që do të bënte të mundur rritjen e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.
“Vetëm me minimumin jetik, duke garantuar për çdo qytetar të këtij vendi jo më pak se 200 euro, pra një minimum jetik prej 200 eurosh, do mund të krijohet, të ndryshohet situata e dhimbshme në të cilën ndodhemi sot.
Nuk ka asnjë pengesë për vendosjen e minimumit jetik. Dhe minimumi jetik nuk mund të jetë përgjigjja e vetme ndaj kësaj situate. Minimumi jetik do shoqërohet me një seri masash të tjera sociale, të cilat garantojnë shqiptarët një jetë në minimumin e saj të mjaftueshëm për ushqimin, veshjet, ilaçet, lëvizjen”- tha Berisha.
Më tej tha se një tjetër shtresë e keqtrajtuar në Shqipëri janë pensionistët. Sipas tij, po të mbahej i njëjti nivel, do të duhej që sot rrogat dhe pensionet të ishin të paktën sa trefishi i shumës aktuale. Berisha tha se paratë e ardhura nga krimi, dobësuan euron duke i ulur vlerën monedhës me anë të të cilës emigrantët shqiptarë dërgonin remitanca për familjarët e tyre.
“Nuk ka njerëz më të keqtrajtuar, më të shpërfillur se pensionistët shqiptarë, gjë të cilën nuk e meritojnë kurrë këtë.Edhe ata, të cilët jo vetëm që nuk u rriten pensionet, por edhe ata që mbaheshin dhe mbahen me ndihmën e familjarëve të tyre jashtë shtetit, edhe atyre 35 përqind të parave ua mori droga sepse e zhvlerësoi euron.
Euro, në Shqipëri është i vetmi vend në Europë, në të cilin euro ka pësuar një zhvlerësim dramatik prej 35 përqind, ndërkohë që në çdo vend tjetër, euro ka shkuar duke u rritur lehtësisht.
Por baronët e drogës, me eurot që fusin, edhe remitancat pothuaj i përgjysmuan si vlerë. Vjedhja e fondeve të buxhetit është ligj themelor i këtij shteti. Në rast se do të respektohej trendi i ndërmarrë në vitet 2005-2013, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, ato duhet të ishin sot të paktën tre herë më të mëdha se sa ç’janë. Duhet të ishin tre herë më të mëdha se sa ç’janë!”- deklaroi më tej kryedemokrati. Versus.al

