Pas analizimit të përgjigjeve të marra nga laboratori i referencës, është konfirmuar që kemi të bëjmë me gripin e shpendëve në rastin e ngordhjes së mijëra pulave në fermën e kompanisë “REA”-s.
Vetë ministria e Bujqësisë e konfirmoi lajmin pas kryerjes së hetimit epidemiologjik. Ndërsa ferma e “REA”-s do vazhdojë të jetë nën karantinim të plotë.
Kompania “REA”-s numëron 227 708 krerë pula në total të mbarështuara në katër kapanone në pularinë e Njësisë Administrative Rashbull dhe një kapanon në njësinë administrative Shënavlash. Dëmi më i madh raportohet në fshatin Stacioni Zooteknik Xhafzotaj të njësisë administrative Rashbull.
Gripi i shpendëve është një sëmundje e shpendëve të egër, por prek gjithashtu shumë lloje shpendësh shtëpiake, përfshirë pulat, rosat, gjelat dhe patat. Ajo shkaktohet nga viruset e gripit të tipit A dhe ka disa nëntipe të viruseve të gripit që mund të infektojnë zogjtë. Ky grip prek edhe njerëzit, madje ka pasur ndër vite, raste infektimi që kanë ndodhur për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me zogjtë e sëmurë ose të ngordhur që e kanë transmetuar virusin nëpërmjet pështymës, mukusit dhe feces. Kur viruset e gripit të shpendëve infektojnë njerëzit, ka simptoma pak a shumë të dukshme që prekin kryesisht traktin respirator, ethe dhe kollë, zakonisht, por edhe pneumoni, vështirësi të rënda në frymëmarrje. Por përgjithësisht viruse të shpezëve nuk janë të rrezikshme për njerëzit. Versus.al







