
Reforma Zgjedhore duket se po shkon drejt dështimit, duke qenë se 1 korriku është afati i fundit i vendosur për ndryshimin e kodit zgjedhor, por produkti deri më tani është zero.
Palët politike nuk janë dakordësuar pothuasje për asgjë ndërsa afatet e vendosura nga vetë ata, tani po digjen. Sipas demokratëve shkak për mos-organizimin e mbledhjes së radhës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, është fakti se PS nuk pranon kërkesat e opozitës.
“Ka rreth një muaj që s’mblidhemi pasi kemi debat mes PD-PS për shkak së PS nuk pranon kërkesat e opozitës”, tha deputetja Dhurata Çupi.
Demokratët akuzojnë socialistët se këta të fundit nuk kanë dëshirë të bëhen zgjedhje të lira sepse në këtë mënyrë nuk do të kishin kontroll mbi votuesit. Një tjetër pikë ku opozita vë theksin është ndryshimi i Kushtetutës për t’i hapur rrugë rikthimit të koalicioneve me listë të përbërë mes partive politike. Pavarësisht se rikthimi në tryezën e bisedimeve u përgëzua edhe nga ndërkombëtarët duket se mungon vullneti politik i palëve për të ndryshuar ligjin zgjedhor. Versus.al







