Një i vrarë dhe tre të plagosur është bilanci tragjik i një sherri mes dy familjeve shqiptare në Itali. Fillimisht një debat i furishëm, më pas një goditje me thikë në zemër. Vrasja e 38 vjeçarit Dritan Idrizi ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22, në Tavullia, në provincën e Pesaro Urbinos, në fund të një debati të dhunshëm mes familjeve me origjinë shqiptare ku mbetën të plagosur të paktën tre persona të tjerë. Viktima, i cili ndërroi jetë në spitalin Cattolica (Rimini), ishte një personazh i njohur për policinë lokale.
Sipas hetimeve fillestare, ai u godit me thikë dhe u vra me tre plagë me thikë nga një bashkëkombës i tij, banues në Tavullia, i cili gjithashtu mbeti i plagosur. Viktima, në shoqërinë e disa miqve të armatosur me shkopinj dhe hekura , me sa duket ka shkuar në Tavullia për të larë hesapet me një familje tjetër me origjinë shqiptare: sipas informacioneve fillestare ati duhej të merrte një shumë prej 5 mijë eurosh për një punë ndërtimi.
Debati shpërtheu në rrugë pasi familja tjetër nga Tavullia nuk kishte ndërmend të paguante: grushta, shqelma, hekura, çekiç deri sa thika doli në duart e një anëtari të familjes së sulmuar. 38-vjeçari është goditur me tre herë me thikë në gjoks. Tre persona të tjerë të përfshirë në përleshje pësuan lëndime që mendohet se do të shërohen deri në 40 ditë. Askush nuk është arrestuar deri më tani. Karabinierët e Pesaros po ndjekin akuzat për vrasje, tentativë vrasje dhe plagosje të rëndë.








