Belind Këlliçi ka qenë në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fokus të cilës ka qenë siguria në botë dhe paqja në Lindjen e Mesme. Në një postim në media, Këlliçi njofton se ky event kishte folës kryesor Lara Trump, dhe se pjesëmarrja e tij është një mbështetje për Donald Trump në zgjedhjet për president që priten të mbahen në nëntor.
“Privilegj të isha i ftuar në National Summit, konferencë e organizuar në Michigan, ku një nga çështjet që u trajtua ishte siguria në botë dhe paqja në Lindjen e Mesme.
Ky event kishte folës kryesor Lara Trump, bashkë drejtuesen e Komitetit Kombëtar Republikan (RNC) i cili është organi kryesor i Partisë Republikane Amerikane dhe është përgjegjës për zhvillimin dhe promovimin e platformës politike të republikanëve si dhe harton strategjinë elektorale.
Gjithashtu Kongresmenët Darrell Issa i Kalifornisë dhe John James i Michiganit, si dhe drejtuesit e Partisë Republikane në Michigan, konfirmuan se siguria është prioritet kryesor për Presidentin Trump dhe plani i tij është garanci për paqen e stabilitetin kudo në botë, në këto kohë të trazuara!
Partia Demokratike beson tek Presidenti Trump dhe alternativa e tij. Si kontribues i paqes dhe sigurisë ai do jetë një garanci dhe për rajonin tonë.
Rritja dhe konsolidimi i raporteve me partnerët strategjikë dhe me republikanët në veçanti si parti e jona simotër, ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë dhe për forcën tonë politike”, shkruan Këlliçi.
Kujtojmë se liderit i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shpallur “Non Grata” nga SHBA dhe me ardhjen e Trump në pushtet, ai synon që të zhbëjë vendimin që e bën atë person të padëshiruar në Amerikë./Versus.al







