
Me goditjet e fundit, Prokuroria e Posaçme (SPAK) vërtetoi se pastrami i parave është një prej veprimtarive kriminale më të përhapura në vend, kryesisht e përqendruar në sektorin e ndërtimit. Megjithatë kur flasim për pastrim parash, nuk bëhet fjalë vetëm për para të ardhura nga trafiku i drogës, por edhe nga veprimtari të tjera të jashtëligjshme, si ai i mashtrimit të shtetasve të huaj me “call center”.
Në këtë fushë, mes emrave më të spikatur raportohet të jetë Ermal Peti, ose i njohur ndryshe si “oligarku i call center-ave”. Peti kaloi shpejt nga një person me të ardhura minimale të ligjshme, në një prej investitorëve në ndërtimin e fshatrave turistikë. Përpara se të dalim në këtë pjesë le të rikujtojmë rrugëtimin e Petit deri në futjen në biznes dhe sektorin e ndërtimit.
Sipas mediave, Ermal Peti ishte përfshirë më herët në trafikun e drogës duke tentuar të ngrinte një linjë të qëndrueshme me Kolumbinë, gjë që nuk ia arriti. Por një ngarkesë e fundit ‘e nxorri në dritë’ duke i dhënë mundësi që të hynte në fushën e call center-ave.
Në 2024-ën, kur deklaronte vetëm 5 mijë euro të ardhura në vit, Peti themeloi kompaninë e ndërtimit “Nikea Construction” me një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh të reja të cilat në kushte normale nuk do të mjaftonin as për blerjen e veglave e pajisjeve bazë për një firmë ndërtimi.

Leja nga qeveria për fshatin turistik në Sauk
Vetëm disa muaj pas themelimit të firmës, Ermal Peti arrin të marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendim të Këshillit të Ministrave që të mund të ndërtojë një fshat turistik në zonën e Saukut me vila deri në 3 kate me pishina e mur rrethues.
Mungesa e ‘filtrimit’ të parave nga institucionet
Kur bëhet fjalë për të ndërtuar qoftë edhe një avlli, qytetarët e thjeshtë hasin probleme nga më të ndryshme. Madje tek ta funksionon ndërhyrja e institucioneve për të verifikuar shumën e investimit dhe burimin e të ardhurave. Por kur vjen puna tek persona si Peti të cilët nga bilancet me 5 mijë euro të ardhura në vit kthehen në milionerë me pronësi në klube nate, shteti bëhet ‘i çalë’. Në dokumentin e lëshuar nga KKT thuhet se leja e ndërtimit për fshatin turistik është dhënë pas verifikimit të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pas pagesës së taksës për ndikimin në infrastrukturë. Megjithatë në asnjë moment nuk janë marrë veprime për të verifikuar sesi është ndërtuar kapitali me të cilin u ndërtuan vilat luksoze.
Hezitimi i autoriteteve dhe zhvendosja e Petit
Ndërkohë që autoritetet ligjzbatuese nuk e kanë parë të arsyeshme që të reagojnë për bilance të tilla të cilat nuk është nevoja të jesh ‘’llogaritar i shquar” për të kuptuar se diçka nuk shkon, Peti e ka shfrytëzuar këtë hezitim për t’u zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe nga ku drejton në distancë aktivitetin e tij me call centera dhe ndërkohë paratë e fituara nga mashtrimi i shtetasve të huaj i fut në sektorin e ndërtimit në Sauk, por edhe në vila në jug të vendit. Versus.al

