POLITIKË /

“SPAK ilaç i hidhur, o e pi o vdes!”, Rama thumbon Rithemelimin: Po treteni te rrugica e shpresës

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij për rezolutën antikorrupsion, nuk kurseu as deklaratat për Rithemelimit, duke thënë se mbështetësit e Berishës po treteshin poshtë banesës së tij.

Shkruar nga Versus
“SPAK ilaç i hidhur, o e pi o vdes!”, Rama thumbon
Edi Rama

Tiranë- Kryeministri Edi Rama u rikthye sot në Kuvend ku teksa foli për rezolutën antikorrupsion të prezantuar nga socialistët, thumboi edhe Sali Berishën dhe Rithemelimin.

Rama hodhi poshtë pretendimet e PD që u shpreh se nisma për projekt-rezolutën u ndërmor me qëllim marrjen nën kontroll të SPAK-ut.

“Kjo nismë që merr jetë nuk ka të bëjë me komentet e bëra. Janë fantazuar qëllime të fshehta si vënia nën kontroll e SPAK-ut apo është propaganduar se qenkemi rekrutuar pas 10 vjetësh të luftojmë korrupsionin. Jo ne jemi në luftë me korrupsionin prej 10 vjetësh”- tha Rama.

Mes të tjerash, ai theksoi mbështetjen ndaj SPAK ndërsa thumboi edhe deputetët e Rithemelimit të cilët mblidhen poshtë ballkonit ku mbahet në arrest shtëpie Sali Berisha.

“Reforma në Drejtësi bashkë me SPAK-un që ka patur dhe do ketë mbështetjen pa kushte timen. SPAK-u është ilaçi i hidhur që o e pi o vdes. Kush e pi njëherë po e njëherë jo, jo që nuk ka shans të vevtëpastrohet por vetëm zgjas agoninë e vetë dhe tretet siç treteni ju tek rrugica e shpresës”- shtoi kryeministri.

Sipas tij, me këtë nismë qeveria tregon se nuk është lodhur nga pushteti ndërsa u bëri thirrje deputetëve të opozitës që ta votojnë projekt-rezolutën dhe më pas të mos bojkotojnë komisionin e posaçëm që do të ngrihet menjëherë pas miratimit.

“Nisma që merr jetë me këtë rezolutë buron nga nevoja e thellimit të kësaj lufte dhe reflekton nivelin e rritur të sfidës për anëtarësimin në BE të Shqipërisë. Koleget do japin plot detaje mbi këtë plan të ri reformimi prandaj do e mbyll me dy nënvizime kyçe. I pari është për shqiptarët, jemi të vetëdijshëm se korrupsioni në Shqipëri është i trashëguar që nga otomanizmi deri në shtetin gjysmak të tranzicionit. Korrupsioni është fenomen shqetësues, ja pse ne vijmë sot në këtë parlament me këtë nismë e cila tregon qartë se kjo forcë politike në këtë qeveri jo vetëm nuk ka lodhje me pushtetin por ka një fuqi të brendshme për ndryshimin e vendit që e bën të jetë edhe opozita e vetme serioze e vetvetes.  Këtë të dytën e kam për të gjithë deputetët jashtë perimetrit në këtë sallë. Kjo nismë e re si Reforma në Drejtësi nuk do ndalet, prandaj thirrja ime është votojeni dhe mos e bojkotini komisionin e posaçëm parlamentar që do ngrihet menjëherë pas miratimit të saj”- përfundoi kreu i qeverisë. Versus.al

Poll