
Kur kaluan të 40-at dhe dera nuk po binte më për ngushëllime, nuk ndjeu vetmi sa ndjeu trishtim. Njerëzit, në të drejtë të tyre dhe të Zotit, i ishin kthyer përditshmërisë dhe asaj i mbetej veç dhimbja që kur humb dikë, nuk ka më keq sesa kur vesh si pelerinë dhe trishtimin dhe bashkë me dritën e syve të merr pak nga pak zërin e të bjerr shpirtin.
Pas humbjes së burrit Halide Bektashi, po mbyllej fort në vetvete dhe duket se as zërat e fëmijëve dhe nipave nuk po e zgjonin dot nga boshi që i kumbonte fort jo vetëm brenda të mureve të shtëpisë, ku mungonte tashmë kryefamiljari Selman Bektashi, i cili kishte nisur rrugën pa kthim atë mars të 2021, por edhe nga boshi që po ndjente brenda shpirtit të saj pa gjysmën e saj.

Gruaja që për dekada kishte qenë aq fort e kapur pas jetës, humbi dëshirën për të bërë edhe gjera të vogla, u mbyll në vetvete dhe po priste…
Priste ditën kur do të ribashkoheshin me burrin me të cilin jetoi 53 vjet…
Por koha e saj për të shkuar tek të shuarit e shumtë nuk kishte ardhur.
I biri, që ja njihte mirë zemren e bardhë e jetën plot sfida, i hodhi nënës një “dorashkë” çmendurie.

Nëna e tij, njeriu më jo sportiv rreth e rrotull tij, të fillonte të merrej me vrap.
Dhe nëna nuk ishte as 50 e as 60 apo 70 vjeç, ishte në agimin e 80 vjetorit, kur i biri i hoqi rrobat e zizë dhe i veshi një palë atlete për të dalë fillimisht për ecje e më pas për vrap.
Pse mos t’i bashkohej atletëve veteranë, që janë ish-sportistë, ish-ushtarakë, e nga shumë profesione të tjera, njerëz që pavarësisht moshës kanë një dashuri për sportin dhe trupin e tyre për të cilin kujdesen me vullnet.

E pranoi sfidën e të birit dhe brenda pak kohësh pasi veshi atletet Halide Bektashi, filloi të ndjehej më e qetë, më mirë, me dhimbjen po bënte paqe, kurse trishtimin e flaku tej…
Stërvitja brenda mureve të shtëpisë, ja la vendin një ecje të shpejtë në zonën e Bulevardit të Ri në kryeqytet. Më pas kur këmbët i ndjeu më të forta e humbi dhe disa kilogramë nisi dhe të shkonte herë pas here pranë fushës së atletikës ku stërvitet dhe kampionia Luiza Gega dhe atletët veteranë.

Njohu aq shumë njerëz me vullnet të fortë dhe qëllime të mbara, sa pak nga pak i erdhi dhe buzëqeshja dhe për herë të parë pas shumë vitesh i vuri dhe ajo objektiva vetes.
Nënë Halideja, gruaja që në Ersekë kishte pritur mijëra fëmijë të vinin në jetë si mami e maternitetit, ju rikthye jetës, asaj që gjithmonë e kishte dashur shumë fort.
Kështu në shtator të 2021 ajo mori pjesë për herë të parë në një kampionat për atletët master, ku natyrisht del me medalje për moshën e saj.
Duke patur ego, 80 vjeçarja, nisi të bënte më shumë stërvitje dhe të ndjehej më mirë, derisa vendos dhe merr pjesë edhe në Kampionatin Ballkanik.
Pak javë më parë, në Kampionatin Nderkombëtar për Veteranë në Shkodër, mori pjesë dhe Halide Bektashi, ku u rëndit e dyta dhe u kthye në shtëpi me medaljen e argjendë dhe se mos kujtoni se e mbylli me kaq.
80 vjeçarja ka një verë mjaft të ngarkuar, pasi po stërvitet për Kampionatin Ballkanik në Mal të Zi në shtator. A nuk është fantastike kjo grua, nënë, gjyshe?! VERSUS






